AKTUALITET, 25 Qershor 2025, 13:13

Rama emëroi ish kreun e PD në krye të Kadastrës së Vlorës, Berisha: Iku nga partia, s'më tha se do të merrte post, zgjedhje e tij! Si gjeti këtë vlerësim nga partia e krimit ai e di

Rama emëroi ish kreun e PD në krye të Kadastrës së

Kreu i PD-së Sali Berisha në konferencën e sotme me gazetarët u pyet edhe për Genc Deromemajn ish-kryetarin e PD-së në Vlorë, i cili u zgjodh në krye të Kadastrës së qarkut Vlorë.

Berisha thotë se Deromemaj bëri zgjedhjen e tij, duke marrë një post që një demokrat nuk do e merrte kurrë.

Deromemaj para 10 ditësh i dërgoi mesazh Berishës se do largohej nga partia, por nuk i tha se do drejtoj kadastrën e Vlorës.

Berisha: Para 10 ditësh dërgoi një mesazh, më informoi se do largohet nga aktiviteti politik. Në fakt nuk ka patur aktivitet për arsye të veta. Është zgjedhje e tij dhe unë personalisht e kam thënë, thelbin e lirisë e konsideroj si zgjedhje, ai ka bërë një zgjedhje. Ka marrë një post, që një demokrat nuk e merrte kurrë. Ai ka bërë zgjedhjen e tij.

Nuk kam dijeni për asnjë rast tjetër. Rasti i tij ishte evident. Nuk më njoftoi se do merrte funksion. Në një vend ku rrinë nga 3 muaj, në Vlorë. Por është zgjedhja e tij. Investimin ai e ka patur në PD. Si gjeti këtë vlerësim të lartë nga partia e krimit, nuk kam dijeni.