AKTUALITET, 25 Janar 2024, 12:48

Rama dhe Veliaj reklamojnë “rilindjen” e shkollës “Asim Vokshi”, Qori: Zero kontribut, u bë me fondet e BE-së

Rama dhe Veliaj reklamojnë “rilindjen” e shkollës

Drejtuesi i “Lëvizja Bashkë”, Arlind Qori, reagoi sot pas deklaratave të kryeministrit dhe kryetarit të bashkisë së Tiranës për të ashtuquajturën “rilindje” të shkollës së mesme të gjihëve të huaja “Asim Vokshi” në Tiranë, e cila është afër përfundimit të rindërtimit.

“Fondet janë akorduar nga Bashkimi Evropian dhe projekti është menaxhuar nga UNDP. Ndërkohë, Tiranës ende i mungojnë rreth 10 shkolla të reja që mësimi të mos bëhet me turne”-reagoi Qori.

Riparimi i shkollës me rreth 750 nxënës është pjesë e projektit të financuar nga BE, EU4schools, me rreth 162 milionë lekë, pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit 2019, ndërsa qeveria dhe bashkia nuk kanë asnjë kontribut direkt.

Reagimi i Qorit

E dini cili është kontributi i qeverisë së Edi Ramës dhe bashkisë së Erion Veliajt në shkollën "e rilindur" Asim Vokshi? Zero.

Fondet janë akorduar nga Bashkimi Evropian dhe projekti është menaxhuar nga UNDP.

Ndërkohë, Tiranës ende i mungojnë rreth 10 shkolla të reja që mësimi të mos bëhet me turne.

Të gjitha shkollat e Republikës së Shqipërisë duhet të shndërrohen mirëfilli në qendra të edukimit me kohë të zgjatur.

Për këto duhet të presim një tërmet të ri sepse pushtetarët tanë dinë shumë mirë se si vidhet e si ngrihen kulla, por jo se si ndërtohen shkolla.