AKTUALITET, 25 Janar 2024, 09:03

Çështja ’Partizani’/ Jamabër Malltezi bën rekurs në Gjykatën e Lartë kundër masës së sigurisë

Çështja ’Partizani’/ Jamabër Malltezi bën

Jamarbër Malltezi ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë kundër masës së sigurisë ‘arrest në shtëpi’ që është caktuar ndaj tij në lidhje me hetimet për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv Partizani.

Malltezi, i cili pritet të pyetet sot nga SPAK si person nën hetim në lidhje me këtë çështje, është shprehur në kërkesën e tij se nuk ka kryer asnjë vepër penale.

Për Jamarbër Malltezin, SPAK thotë se ai dyshohet për “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”, të kryer në bashkëpunim me ish kryeministrin Sali Berisha, duke qenë se sipas saj, duke shfrytëzuar pozitën e kreut të qeverisë, ka marrë përfitime gjatë procesit të privatizimit të ish klubit sportiv Partizani, ndërsa ka arritur të përfitojë në formën e fitimeve të kompanisë, e cila hyri në marrëdhënie për ndërtimin e kompleksit të pallateve afro 5.4 milionë euro.

Sipas prokurorisë ai është paraqitur si investitor në punimet e ndërtimit të pallateve pa investuar dhe ka kryer veprime financiare e transaksione për të fshehur origjinën e parave të përfituara, e për këtë arsye dyshohet se ka kryer dhe “pastrim parash”.

Kujtojmë se sot do të jepet vendimi dhe për ish-kryeministrin Sali Berisha, i cili nga arresti në shtëpi, përmes avokatëve të tij, ka kërkuar një masë më të lehtë sigurie.