TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Këshilltarë të majtë dhe të djathtë e gjetën gjuhën e përbashkët sot në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Sarandës për të dhënë me qira 60 hektarëve tokë në zonën e Nivicës, ku pritet të ndërtohet një park fotovoltaik.
Ndërsa vendimi merrej brenda mbledhjes me dyer të mbyllura jashtë sallës pati tensione dhe përplasje të banorëve me policinë. Ata e konsiderojnë grabitje të tokave të tyre marrjen e këtij vendimi
“Policia ka ardhur me urdhër verbal për të na bllokuar hyrjen. Unë e di që policia mbron pronën e qytetarit jo hajdutin e saj. Hiqni dorë nga ai projekt, sa u bë Kakomeja aq do bëhet dhe ky. Ne do vritemi pikë”, u shpreh një qytetar.
“Nivica është mbledhur për pronën që kemi. Ne nuk pretendojmë, kjo është prona jonë dhe ka kufijtë e saj. Nuk na lejuan në mbledhje ka vulosur kanë firmosur e thonë pastaj e kanë marrë. Mënyra se si trajtohet Nivica është e jashtëligjshme”, tha një tjetër.
“Duan t’i gllabërojnë, pronat t’i shkatërrojnë. Ne kërkojmë një orë e më parë, të na jepen certifikatat. Të mos rrimë me gisht në gojë. Policia të na hapë rrugën…”, ishte revolta e një tjetër qytetari.
Partia Demokratike Sarandë sqaroi sot opinionin publik në lidhje me dhënien e 60 hektarëve dje nga këshilli bashkiak Sarandë.
"Së pari kryetari i PD Sarandë Shpëtim Ahmeti ka takuar banorët e Nivicës që protestonin para bashkisë Sarandë për të dëgjuar dhe ka kërkuar në mbledhjen e këshillit bashkiak që të dëgjoheshin banorët. Ai ka kërkuar që banorët që protestonin jashtë të kishin të drejtën e fjalës në këshill, askush nuk duhet kishte frikë nga fjale e lirë. Por kërkesa e tij është rrëzuar nga këshilli.
Së dyti Partia Demokratike është qartazi dhe pa asnjë ekuivok kundër rrëmbimit të tokave të banorëve të Nivicës, të cilët janë duke u përballur edhe në procese gjyqësore për të drejtën e tyre. Rrëmbimi i tokave publike dhe private është bërë vendimarrje e zakonshme në favor të oligarkëve dhe pushtetit dhe për këtë PD ka qënë dhe do jetë përherë kundër.
Së treti në lidhje me votimin në këshillin bashkiak Sarandë. Sic e dini situata në zgjedhjet lokale 2023 ka qënë e komplikuar dhe Partia Demokratike nuk ka mundur të kandidoj me emrin e saj, por me koalicionin Bashkë Fitojmë. Vërtet që ende figurojnë në listat e Partisë Demokratike disa këshilltar bashkiak, po nuk ka të bëjë me Partinë Demokratike si vendimarrje politike dhe institucionale. Kjo sjell edhe lajme dashakeqëse që ngaterrojnë me qëllim.
Dje në këshillin bashkiak ka qënë pjesmarrës vetëm kryetari i partisë, këshilltari Shpëtim Ahmeti dhe qartësisht dhe publikisht ka refuzuar të bëhet palë me këshillin dhe ka qënë mbrojtësi publik i banorëve të Nivicës.
Partia Demokratike ka qënë dhe do jetë përherë në mbrojtje të interesit publik dhe të mirës së qytetarëve"- thuhej në reagim.
Sali Berisha, sot, gjatë konferencës me gazetarët, dha këtë përgjigje:
“Po, jam informuar për këtë zhvillim dhe kam kërkuar... deputetja e zonës po merr takim dhe do sqarojë gjer në fund sepse ky është një lajm mediesh dhe ne nuk i anashkalojmë lajmet.
Cilat janë, kush është biznesmeni, nuk e kam të qartë, në ç’kushte, në ç’rrethana, pra deputetja e zonës po merret me këtë problem dhe me kryesinë e PD...
...Tani, në aparencë nuk është normale, por duhet parë i gjithë konteksti, sepse thashë edhe njëherë, unë dje jam informuar për këtë nga mediat dhe kam kërkuar që të sqarohet përfundimisht si qëndron ky problem.
Natyrisht në çdo rrethanë dhe në çdo investim, ligji i vendit dhe ligji ndërkombëtar detyron dialogun me komunitetin, detyron përfilljen e komunitetit.”.
Kompania që ka marre lejen për të ndërtuar parkun fotovoltaik është “Park Sol Energy”, e krijuar në shtator 2022 dhe zotërohet nga biznesmenët Paqsor Buzi dhe Agim Xhindoli.