AKTUALITET, 31 Korrik 2025, 12:31

Dumani u "përgjigjet" pyetjeve të Veliajt: Kemi dhe një fraksion tjetër nga dosja, po hetojmë disa fakte të reja

Dumani u "përgjigjet" pyetjeve të Veliajt: Kemi dhe një

Kryeprokurori Altin Dumani ka reaguar pas pyetjeve publike që i drejtoi dje Erion Veliaj. Kryebashkiaku i arrestuar i Tiranës doli dje me një shënim të gjatë, ku me të tjerash akuzonte Prokurorinë e Posaçme, se kishte ndërmarrë ndaj tij një "gjyq politik e publik".

Mirëpo, këtë të enjte në një takim informal me gazetarët, Altin Dumani ka thënë se dosja e Erion Veliaj është ndarë edhe në një fraksion tjetër dhe po hetohet paralelisht disa fakte të reja penale.

"Nuk i përgjigjemi të pandehurve, vetëm në rrugë ligjore kur ka pretendime, kur sillen memo nga avokatet, kjo është forma proceduriale. Dosja Veliaj është ndarë edhe në një fraksion tjetër dhe po hetohen disa fakte penale", është shprehur ai.

Ndërkohë, dje Erion Veliaj pyeti se publikisht SPAK se kush është Nesti Angoni, personazhi anonim që ka bërë kallëzim për të në organin e akuzës; pse të gjitha gjyqtaret zonja që u bie shorti për dosjen e tij, papritur dorëhiqen; përse nuk hetohet rrjedhja e sekretit hetimor në media; konflikti i interesit të tij me prokurorin Ols Dado, etj.

Erion Veliaj akuzon agjentët e Byrosë Kombëtare për "ngacmim seksual": U futën në sallën e operacionit, ishin dhe 30 policë, më poshtëruan! (LETRA E PLOTË)
"Nëse SPAK-u nuk u përgjigjet dot në një mënyrë të besueshme dhe legjitime këtyre 7 pyetjeve, unë jo vetëm do t’i refuzoj akuzat e padenja, por do të vazhdoj të luftoj për atë që është e drejtë, dhe nuk do të lejoj që, këto abuzime të rënda me pushtetin të vazhdojnë pa i denoncuar ato, bashkë me dëmin që u kanë shkaktuar qytetarëve të Tiranës dhe Shqipërisë", shkroi Erion Veliaj.

Mirëpo, përgjigja nga organi më i lartë i akuzës duket se i ka ardhur kryebashkiakut të Tiranës më shpejt nga sa ai e priste, madje me lajme të reja për hetimin e disa fakteve të tjera penale, nga vetë kryeprokurori Altin Dumani.

Shtatë pyetjet e plota të kryebashkiakut Erion Veliaj për SPAK:

1. Kush është Nesti Angoni dhe për sa politikanë me letra anonime është bërë ky vetting 20-vjeçar, si në rastin tim? A po përdoret ky hetim dhe persekutim mbi mua si një “eleminim politik”, për t’u kthyer në standard të ri për këdo që shënjestrohet?

2. Pse të gjitha gjyqtaret e zonja, të cilave u bie shorti për masën time në GJKKO, papritmas sëmuren dhe dorëhiqen? A ka koordinim prokurori-gjykatë për organizimin e këtij sulmi ndaj kryetarit të zgjedhur të bashkisë?

3. Pse nuk u hetua kurrë denigrimi mediatik nëpërmjet nxjerrjes së gjithë sekreteve hetimore në portalet pranë SPAK, ku dalloheshin qartësisht formatet dokumentare të prokurorëve, dhe jo ato që u jepen avokatëve? Kjo shkelje e rëndë e ligjit nuk mund të ndodhë pa dijeninë dhe aprovimin e SPAK.

4. A ka konflikt interesi kur njëri nga prokurorët ka shprehur haptazi një pakënaqësi për një leje ndërtimi që ka marrë nga bashkia? Në një shoqëri demokratike, a nuk duhet që çdo i pandehur të ketë të drejtën për një prokuror pa konflikt interesi?

5. Pse më ndalohen takimet me avokatët e mi ndërkombëtarë, të cilët po përgatisin çështjen time për në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, edhe pse Konventa Europiane - ku Shqipëria është palë - garanton qartë të drejtën themelore për t’u mbrojtur dhe zgjedhur lirisht përfaqësim ligjor?

6. A u hetua ndonjëherë dhuna 1-vjeçare, me molotovë e zjarr, përpara Bashkisë së Tiranës, e kryer nga individë të maskuar që, sipas raportimeve, transportoheshin nga rrethe të tjera? Kush e koordinoi dhunën që të përkonte me vetting-un tim të paligjshëm? Kush e financoi për 45 javë?

7. Nëse hetimi ka përfunduar, përse vazhdoj të mbahem në paraburgim - larg familjes sime dhe qytetit, të cilit i shërbej? A do të kishte kuptim që unë - Kryetari aktual i Bashkisë së Tiranës - të arratisesha, kur kam lidhje kaq të ngushta familjare, politike dhe shoqërore në Tiranë dhe jam kthyer disa herë në Shqipëri nga jashtë vendit, duke e ditur se kam qenë objekt i këtij hetimi penal? A ka vërtet kuptim që, si Kryetar Bashkie në mandatin e tretë, të kryeja vepra të rënda penale, duke qenë në liri me kusht dhe duke e ditur se jam nën një vëzhgim dhe kontroll të paprecedentë? Unë kam pasur një të shkuar të pastër deri në këtë persekutim, dhe aktualisht gëzoj besimin dhe mbështetjen dërrmuese të shumicës së qytetarëve të Tiranës - pra, a nuk është thjesht e çuditshme të mendohet se do të kryeja vepra të tjera penale? Në fakt, kur pata mundësinë t’u shërbeja qytetarëve të Tiranës, qyteti u transformua rrënjësisht.