AKTUALITET, 16 Shkurt 2026, 10:36

Protesta në përkrahje të UÇK/ Nesër Dita e Pavarësisë, kryeministri Rama shkon që sot në Kosovë për vizitë zyrtare

Protesta në përkrahje të UÇK/ Nesër Dita e

Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë sot një vizitë zyrtare në Kosovë. Për këtë vizitë policia e Kosovës ka lajmëruar masat që do merret gjatë parakalimit të eskortës së kryeministrit Rama.

Gjatë qëndrimit në Prishtinë, kreu i qeverisë do të takohet me Presidenten, Vjosa Osmani, dhe më pas me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Rama gjithashtu do të marrë pjesë në promovimin e librit “Kur heshtja flet” të autorit Ahmet Shala, si edhe do të mbajë një leksion të hapur me të rinjtë e Universitetit “Hasan Prishtina” dhe nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri”

“Më datën 16 shkurt  2026, në Republikën e Kosovës, do të qëndrojë për vizitë zyrtare,  Kryeministri i Republikës së Shqipërisë z. Edi Rama. Me këtë rast Policia e Kosovës,  gjatë kësaj vizite do të kujdeset për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe rregullimin e trafikut,  gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe kohës së qëndrimit të delegacionit në Kosovë.

Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës sipas itinerarit të lëvizjes nga pika kufitare Aeroporti si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës zyrtare së vizitës, Policia e Kosovës  do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurtra kohore) të disa segmenteve rrugore (ku pritet të kalojë eskorta), ku edhe mund të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative. Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Vizita e kreut të qeverisë vjen një ditë para Ditës së Pavarësisë të Kosovës dhe njëkohësisht protestës ne forme marshimi që do të bëhet në Prishtinë në përkrahje të ish-krerëve të UÇK. Deri më tani ende nuk dihet nëse Rama do marrë pjesë në protestë.