BOTA, 14 Mars 2022, 20:18

"Privatizoi për $250 milionë, e shiti për $13 miliardë"/ Programi investigativ i BBC nxjerr provat për "korrupsionin" e Abramovich

"Privatizoi për $250 milionë, e shiti për $13

Një investigim i BBC, i cili do të shfaqet në programin "Panorama", tregon prova të reja për aferat "korruptive" të Roman Abramovich, të cilat e bënë atë të pasur. 

Pronari i Chelsea, arriti të fitojë miliarda pasi bleu një kompani nafte nga qeveria ruse, duke manipuluar ankandin në vitin 1995. 

Abramovich pagoi rreth 250 milionë dollarë për Sibneft dhe më pas ia shiti atë sërish qeverisë ruse për 13 miliardë dollarë, në vitin 2005. 

Miliarderi ka pranuar në një gjykatë britanike, se ka bërë pagesa korruptive për të arritur marrëveshjen për Sibneft. Ai deklaroi se i ka dhënë 10 milionë dollarë Berezovskyt, për të paguar një zyrtar në Kremlin. 

BBC ka arritur të sigurojë një dokument sekret, ku thuhet se me marrëveshjen për Sibneft, qeveria ruse u mashtrua për plot 2.7 miliardë dollarë. 

Programi i BBC Panorama, arriti të kontaktojë ish prokurorin që hetoi këtë marrëveshje në vitet 90'. 

"Shkurt, ishte një skemë mashtruse, ku ata që morën pjesë në privatizim, formuan një grup kriminal, që lejoi Abramovich dhe Berezovsky të mashtronin qeverinë dhe të mos paguanin për vlerën e vërtetë të kompanisë", i tha ai BBC. 

Avokatët e Abramovich thonë se nuk ka baza për akuzat se ai ka përfituar pasuri nëpërmjet krimit. 

Pas fillimit të luftës në Ukrainë, miliarderi rus u sanksionua nga qeveria britanike, për shkak të lidhjeve të tij me Vladimir Putin. Asetet e Abramovich janë aktualisht të ngrira.