AKTUALITET, 25 Qershor 2025, 13:38

Presidenti Trump konfirmoi vazhdimësinë për ‘non gratat’ në Ballkan, Berisha: Si të mos e shpallë zonë të rrezikshme? Kartele po, Ramaduro po...!

Presidenti Trump konfirmoi vazhdimësinë për ‘non

Një ditë pasi Donald Trump shtyu me një vit urdhrin ekzekutiv për gjendjen emergjente në Ballkanin Perëndimor, ku përmenden edhe individët e korruptuar, Sali Berisha iu shmang pyetjes që iu adresua.

Në njoftim, përmendeshin edhe individë që kanë minuar sundimin e ligjit dhe demokracinë, si një referencë për politikanët që janë shpallur non grata, mes të cilëve është edhe Sali Berisha. Por teksa u pyet për këtë vendim të administratës amerikane, Berisha nuk e gjen fajin te non grata, duke thënë se një vendim i tillë ka ardhur për shkak të karteleve të drogës dhe qeverisë Rama. 

“Ramaduro. Çfarë komenti tjetër do. Tre ditë para kryeministri i Shqipërisë nga media kryesore numër një e SHBA u damkos Ramaduro. Tre javë më parë një zyrtar i lartë i departamentit të drejtësisë solli këtu mesazhin e ministrit të drejtësisë së SHBA, apo prokurorit të përgjithshëm, me të cilin kërkon që Shqipëria të merret me kartelet e saj të drogës. Por për këtë bien këeto kambana? A është folur ndonjëherë për kartele droge?

Nuk është folur kurrë. A është cilësuar ndonjëherë Rama Ramaduro, unë e kam cilësuar Noriega. Epiteti im bëri nuk ngjiti Ramaduro në vend. E kapi dhe e shpalli media nr. 1 e botës. Pra si të mos e shpallë Trump Ballkanin një zonë të rrezikshme, kartelet po, Ramaduro po. Të gjitha së bashku.”, u shpreh Berisha.

Në konferencën e sotme, Berisha vijoi me akuzat për farsë elektorale, teksa publikoi një video, që siç u shpreh ai, tregon blerjen e votave në zonën e Freskut në Tiranë.  Sipas tij, personat që shfaqen në video kanë dhënë leje legalizimi dhe certifikata pronësie në këmbim të votës për PS-në. Ndër të tjera, Berisha u shpreh se në të gjithë vendin, në harkun kohor të ndaluar me ligj para dhe pas zgjedhjeve, janë dhënë rreth 6 mijë legalizime.

“Pra, ky është një shembull i përdorimit të shtetit partiak, shtetit elektoral për të blerë vota nëpërmjet ushtrimit të paligjshëm të fuqisë ekzekutive. Këto janë vetëm njëri aspekt, aspekte të tjera do paraqiten në ditët e ardhshme, të cilat kanë të bëjnë me certifikatat e pronësisë, kanë të bëjnë me lejet e ndërtimit, të cilat janë të pafundme. Është bërë një vërshim i madh dhe një mori e pafundme leje ndërtimi, meremetimesh, ndërtimesh në fshat, por edhe në qytete, të cilat do paraqiten në ditët që do vijnë.”, u shpreh Berisha.

I pyetur se pse nuk kanë “dokumentuar” tren bullgar në qarqe të tjera si në Elbasan, Berisha tha se kanë pasur probleme me dorëzimine e videove nga ana e KQZ-së.

“Nuk janë marrë akoma videot, sepse ka pasur probleme me dorëzimin e videove nga KQZ, qarqeve që kanë kërkuar videot. Tani janë dorëzuar atje sepse kërkonin depozita të mëdha me kapacitete të mëdha për marrjen e videove, dhe tani sapo të dorëzohen nga KQZ, do fillojë shqyrtimi i tyre.”, u shpreh Berisha.