AKTUALITET, 31 Janar 2022, 16:48

“Pres vendimin”, ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri flet pas seancës në Apelin e GJKKO

“Pres vendimin”, ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri flet

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri nuk është ndalur gjatë për mediat pas seancës në Apelin e GJKKO,nuk ka bërë komente lidhur me kërkesën e Prokurorëve të SPAK, por ka thënë vetëm: “Po pres vendimin”.

Vendimi për Tahirin do të jepet më 4 shkurt, në orën 13:00.

Këtë të hënë në Gjykatën e Apelit është zhvilluar seanca për ish-Ministrin e Brendshëm i akuzuar për trafik droge dhe si pjesë e grupit të strukturuar kriminal.

SPAK ka kërkuar dënimin me 12 vite burg për Tahirin që në bazë të gjykimit të shkurtuar reduktohet në 8 vite. E njëjta kërkesë nga Prokuroria e Posaçme ishte dhe për ish-krye policin e Vlorës Jaeld Çelën.

Kujtojmë që Saimir Tahiri u akuzua fillimisht për trafik droge dhe pjesëmarrje në grup kriminal, por u dënua nga gjykata për “shpërdorim detyre” me 3.4 vite shërbim prove. Gjykata e Posaçme riktheu për rishqyrtim dosjen e ish-ministrit Tahiri, pasi konstatoi parregullsi në proces.

Ish-ministri Tahiri u vu nën shënjestrën e organeve të drejtësisë në tetor të vitit 2017, pasi autoritetet italiane goditën një grup të strukturuar kriminal në trafikun e marijuanës, që drejtohej nga vëllezërit Habilaj –të afërm të Tahirit.