AKTUALITET, 24 Korrik 2023, 22:11

“Populli nuk është ashtu siç e pandehin pushtetarët tanë!”, Arlind Qori: Vetëm pijanecët e dasmave sillen si Edi Rama, bëri fushatë tallava!

“Populli nuk është ashtu siç e pandehin pushtetarët

Arlind Qori, ka qenë i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ku ndër të tjera foli për shoqërinë shqiptare dhe politikanët që shpesh e pandehin popullin si të paditur.

Pjesë nga biseda në studio:

Arlind Qori: Herën e parë që e pi limonatën të pëlqen, herën  e parë që e pi alkoolin nuk e pëlqen, se duhet të mësohesh me të, të të pëlqejë. Edhe kultura e mirë, ti duhet të mësohesh të të pëlqejë kultura e mirë.

Kur një shoqëri ka institucionet e duhura arsimore, kulturore, etj., edhe popullsisë i mësohet kultura e mirë. Prapë shoqëria nuk është aq keq se çe pandehin këta që janë në pushtet. Edi Rama, po ta vini re në fushatë, ka bërë tallava. Unë nuk kam parë kurrë në jetën time, përveç pijanecit të dasmës, që të sillet si Edi Rama. Ai nuk është sjellë si populli gjatë fushatës, është sjellë si pijaneci i lagjes. Pijaneci nuk është populli, është ai që lagjia e tregon me gisht.

Ylli Rakipi: Atëherë diçka e rëndësishme mungon te ky popull që e do kaq shumë Edi Ramën!

Arlind Qori: Është si karnavali përmbys. Një herë në vit në karnavale populli vishet si mbretër. Rama bën të kundërtën. Pra duke e ulur veten në fund fare te pijaneci do që të bëhet popullor, që t’i tregojë se unë jam si ju, jam i brishtë. Janë taktika të manipulimit të njerëzve.

Neritan Sejamini: Ky është një element shumë i rëndësishëm. Politikanët këtë duan të bëjnë kudo në botë. Është fantastike.

Ylli Rakipi: Edi Rama kur vete në bashkësinë evropiane nuk bën tallava, tjetër gjë komplet dhe aty fiton. Udhëheqësi i një vendi shumë të vogël. Kapet me ta, bisedon, përpiqet të gjejë elementë…

Arlind Qori: Bëmë një fushatë disa muaj në Tiranë dhe nuk kam takuar një njeri që t’i thotë bravo (Ramës) për atë që bën.

Ylli Rakipi: Mos ka kosto të lartë për ty kjo?

Neritan Sejamini: Është problemi i elitës, jo i institucioneve. Këtu s’ka elitë. Më thuaj një poet sot në Shqipëri që t’i shkruajë dy vargje dhimbjes, degradimit moral, traumave që kalon shoqëria shqiptare? Më thuaj një novelë. Mi gjeni, një e mijta e Migjenit në 30 vitet e fundit. Më thuaj një film që është bërë me këto drama? Një mik i huaj më tha: më vjen gjynah dhe turp se vijnë autorë shqiptarë që promovojnë libra dhe janë të gjithë me gjakmarrjen. S’ka tjetër, veç klisheve? Apo për virgjëreshat e betuara. Ekzotizma.
Ku e ke Teodor Kekon, Xhevahir Spahiun? I këndojnë traumës, ato të bëjnë të emancipohesh. Sot jemi tallava. Rama nuk është tallava, e adopton tallavanë se i duhet vota. Problemi është se qytetari nuk shikon gjë tjetër veç tallavasë, se s’ka gjë tjetër veç saj.

Ylli Rakipi: E thamë. Mbyllej gjithë populli brenda gjatë kohës së Big Brother dhe ata që po e bënin e dinin se po mbyllnin popullin brenda, ose media tjetër me filma turq nga mëngjesi në mesnatë, ku populli shikon therje, prerje fyti.

Arlind Qori: Para disa viteve, ambasada gjermane bën disa aktivitete në kuadër të Tetorit Gjerman dhe kishte sjellë një film “Marksi i ri”, 6-7 vite më parë. E dini që ishte salla me dyfishin e kapacitetit! Unë mendoj se nuk ishte arsyeja që donin Marksin, as se ishte i bukur, por se ishte falas. Një shtet që do që të kulturojë popullsinë e vet mund të bëjë një gjë shumë të thjeshtë. Atë kinema bëje publike dhe jepe filmin falas se nuk të kushton asgjë.