AKTUALITET, 11 Prill 2023, 14:44

"Po analizojmë daljen nga juridiksioni i Gjykatës së Arbitrazhit", ish-ministri: Rama po luan blofin. Ja si do i mbledhë Becchetti paratë

"Po analizojmë daljen nga juridiksioni i Gjykatës së

Ish-ministri i Drejtësisë Eduard Halimi e ka cilësuar blof, deklaratën e kryeministrit Edi Rama se po analizohet mundësia për të dalë nga juridiksioni i Gjykatës së Arbitrazhit.

Halimi tha se ka zero shanse që të ndodhë apo të ketë efekte prapavepruese, lidhur me vendimet e marra tashmë si në rastin e Agon Channel të sipërmarrësit italian Francesco Becchetti.

“Qeverisë nuk i pëlqen Gjykata Ndërkombëtare. Mendoj që deklarata në rastin më të mirë është blof sepse mundësitë për t’u tërhequr nga Arbitrazhi Ndërkombëtar, qoftë ai i BB-së, qoftë ai i Parisit, në rastin më të mirë është blof, në rastin tjetër për të kënaqur ata që dëgjojnë. Nuk mund të ndodhë. Teknikisht çdo qeveri mund të tërhiqet, por nuk mund të ndodhë. Në të gjitha vendimet e Arbitrazhit, ka zero shanse që të ketë efekte prapavepruese.
Sivjet Gjykata e Arbitrazhit në Paris bën 100 vjet. Aty bën pjesë pjesa më e madhe e vendeve në botë dhe ka zero mundësi që ti të dalësh dhe të jesh me ato 2-3 vende që nuk janë. Akti mund të bëhet, se ti mund të dalësh dhe nga NATO. Mendoj që është blof, nëse do ta kishte seriozisht, do të kishin dalë dhe ekspertë të tjerë ta artikulonin. Është një vendim jashtëzakonisht i rëndë për Shqipërinë. 
Ne nuk e dimë përmbajtjen. Po aq e rëndësishme është pse është marrë ky vendim. Përveç faktit të vlerës, qeveria dua t’ua bëjë të qartë qytetarëve se cili është vendimi i Gjykatës. Duhet t’i lexojmë ato 272 faqe që përmban vendimi”, deklaroi Halimi në News24.

Për pagesën që shteti shqiptar i detyrohet Becchettit, Halimi tha se është pjesë e ekzekutimit që nis me asetet që shteti shqiptar ka nëpër botë.

“Gjyqfituesi angazhon studio që merren me mbledhjen e borxheve dhe ato fillojnë me ekzekutimin e vendimit duke bllokuar asetet që ka qeveria shqiptare anë e mbanë botës. Si ish-avokat i përgjithshëm i shtetit, si jurist për një kohë të gjatë dhe funksionar, do ta këshilloja qeverinë të mos vazhdojë të paguajë avokatë të tjerë për të pamundësuar vendimin, pro të bëjë zgjedhje sa më oportune. Çdo ditë që ecën vendimi parashikon interesa bankare, ka penalitete. Nëse do ishte bërë më përpara do kishim kursyer lekët e avokatëve në Apel. Ky nuk është gjyqi i parë që ka humbur shteti shqiptar. Nuk ka ndodhur ndonjëherë që qeveria të bëjë këtë lloj beteje. Ta mbante pending duke rritur pjesën e interesave bankare”, tha ai.