AKTUALITET, 11 Prill 2023, 13:22

Denoncoi se u kërcënua me jetë para ndeshjes Kastrioti-Bylis, arbitri i Superiores merret në mbrojtje nga policia

Denoncoi se u kërcënua me jetë para ndeshjes Kastrioti-Bylis,
Juxhin Xhaja

Pas kërcënimit me jetë dy ditë më parë, arbitri i futbollit Juxhin Xhaja është marrë në mbrojtje nga strukturat e specializuara të policisë, pasi ndihet i rrezikuar për jetën e tij dhe familjarëve të tij.

Juxhin Xhaja mori një telefonatë nga e cila u kërcënua me jetë para ndeshjes Kastrioti-Bylis, e sikur të mos mjaftonte kjo, mësohet se kërcënimet kanë shkuar deri te familjarët e arbitrit.

Për këtë arsye, Xhaja nuk pranoi të dilte në fushë, çfarë solli dhe anulimin e sfidës. 32-vjeçari bëri një kallëzim penal në polici, ndërsa po punohet për identifikimin e personave në fjalë.

Ekipi i Kastriotit mohoi se kishte lidhje me kërcënimet, duke u ankuar se po i prishet imazhi.

Një ditë më parë, Tahir Kastrati, kryetari i Shoqatës së Arbitrave, ka reagoi pas kërcënimit me jetë të gjyqtarit Juxhin Xhaja dhe familjes së tij dhe kërkoi zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje të rëndë, marrjen e masave drastike, pasi në të kundërt, siç tha ai, do të rishqyrtojnë pozicionin e tyre, ku nuk përjashtohen as vendime drastike, deri në bojkot.

"Ishte mjaft i shqetësuar, jo vetëm ai, por e gjithë familja e tij, pasi disa presona nga Kruja kishin vajtur pranë familjes së tij dhe kanë bërë kërcënime deri në jetë. I ndodhur në këtë situatë, mblodhëm kryesinë e Shoqatës dhe i kërkuam FSHF-së që ndeshja në këto kushte, në kushte të dhunës dhe presionit të jashtëzakonshëm, nuk mund të zhvillohej dhe institucioni e miratoi kërkesën tonë duke mos e zhvilluar këtë ndeshje, në mënyrë që të kemi kohë të marrim masat e duhura që jeta e qytetarëve, e aq më tepër e gjyqtarëve të jetë e sigurt, në mënyrë që të marrin vendime korrektë për ndeshje të caktuara", tha Kastrati.

Ai theksoi se të gjitha institucionet ligj-zbatuese duhet të veprojnë. I pyetur se çfarë do të ndodh me sfidën Kastrioti-Bylis, apo me ndeshjet e Kastriotit në vijim, Kastrati deklaroi se "jemi në pritje të marrjes së masave, nëse masat do të jenë të prekshme, të arsyeshme, brenda kërkesave, ne do të vazhdojmë, në rast se nuk merren masat ne mund të shkojmë në bojkot. Ne do të kërkojmë që ndeshjet me Krujën të mos zhvillohen".