AKTUALITET, 28 Maj 2022, 20:56

Pas zgjedhjes së Kryesisë, PD merr vendimin tjetër, mblidhet të premten. Çfarë do të diskutohet

Pas zgjedhjes së Kryesisë, PD merr vendimin tjetër, mblidhet

Partia Demokratike ditën e sotme zgjodhi 20 anëtarët e Kryesisë.  Kryetari i Këshillit Kombëtar Edi Paloka ka bërë të ditur se ditën e premte më 3 qershor do të mblidhet Këshilli Kombëtar i selisë blu. Sipas Palokës, në rend të ditës do të jenë zgjedhjet në disa funksione drejtuese të Partisë Demokratike dhe ngritja e institucioneve të tjera sipas përcaktimit në Statutin e kësaj force politike.

Lajmi u bë i ditur edhe nga Albana Vokshi në përfundim të procesit të numërimit të votave. Ajo bëri me dije se në këtë mbledhje do të zgjidhet Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Sekretariatet dhe nënkryetarët e PD-së.

“Njoftim për mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike!

Ditën e premte, më datë 3 qershor, ora 17.00, do të mblidhet Këshilli Kombëtar i PD.
Në rend të ditës do të jenë zgjedhjet në disa funksione drejtuese të PD dhe ngritja e institucioneve të tjera sipas përcaktimit në Statutin e PD.

Edi Paloka, Kryetar i Këshillit Kombëtar të PD”, thuhet në deklaratën e PD-së.

Belind Këlliçi ishte kandidati më i votuar për anëtar kryesie, ndërsa Fatbardha Kadiu kandidatja më e votuar grua. Nga 47 kandidatët që ishin në fletën e votimit, u zgjodhën 20 anëtarë, 6 prej tyre gra. Arben Imami mbeti jashtë listës.

Gjashtë gratë që do të jenë në Kryesinë e PD-së:

Fatbardha Kadiu
Ina Zhupa
Jozefina Topalli
Edith Harxhi
Mimoza Hajdarmataj
Eleina Qirici

Burrat që do të jenë në Kryesinë e PD-së:

Belind Këlliçi
Flamur Noka
Oerd Bylykbashi
Ervin Minarolli
Luçiano Boçi
Agron Shehaj
Luan Baçi
Grigels Muçollari
Gent Strazimiri
Eno Bozdo
Keltis Kruja
Arben Ristani
Aldo Bumçi
Florian Mima.