AKTUALITET, 15 Mars 2025, 20:45

"Ogerta më tha se Endriti s’ka kërkuar asgjë"/ Braktisi Partinë e Lirisë për PS-në, Braimllari në podcastin e Ramës: Kisha dy rrugë, thashë 'o do rri në shtëpi ose...'

"Ogerta më tha se Endriti s’ka kërkuar asgjë"/

Në podkastin “Flasim”, me episodin ekskluziv “Parti e re për Shqipërinë në BE”, Kryeministri Edi Rama prezantoi tre kandidatët e tjerë për qarkun e Tiranës, Kejsi Elezi, Sofika Lleshi dhe Endrit Braimllari.

Braimllari u shpreh në këtë podkast se arsyeja pse u largua nga Partia e Lirisë për t’iu bashkuar PS, është sepse në këtë forcë politike ka gjetur mundësinë për të rinovuar ekipin dhe për të afruar gjeneratën e re me politikën.

“Unë kam vite që merrem me politikë. Sot duke parë dhe ekipin e përfaqësuesve të deputetëve, kam gjetur një kombinim perfekt mes gjeneratës së 2009 dhe asaj të vjetër. Dua t’i jap mundësi vajzave të mia të jetojnë këtu në vendin e tyre dhe të marrin pasaportën e BE. Kur kam marrë vendimin të bëhem pjesë e PS, kam vendosur me veten time, të marr një vendim për vajzat e mia dhe ishin dy rrugë: O do rri në shtëpi, o do të lejojë që Shqipëria të shkoj pas, ose do të angazhohem për të ecur përpara. Unë vi nga një histori balte, nëna ime ka shkuar gjashtë herë në spital, duke dëgjuar akuzat ndaj meje”, tha ai.

Nga ana e tij, kryeministri Rama shtoi se “në këtë vend kemi detyrë të dëgjojmë atë që është për t’u thënë”.

“Konspiracioni këtu është bukë e përditshme. Unë të falenderoj për kurajën dhe për vendosjen e një besimi. Për hir të së vërtetës, dua ta dëgjojnë të gjithë, Ogerta më tha se Endriti s’ka kërkuar asgjë, s’më ka vënë asnjë kusht. Kur ishte emri yt në listë, unë besoj se përtej asaj që mund të thonë tradhtarë etj, koha do të tregojë se ti do të ndihesh si në shtëpinë tënde. Ti në territorin e qendrës së majtë, s’është faji yt se të tjerët shkuan në drejtim të paditur, por ishin disa që kalouan nga djathtas, nga PD, tek PS. Nuk e kemi menduar kurrë që s’do të na paragjykojë njeri. Një dekane që kisha këtu, më tha se ishin kandidate dhe dy zonja të tjera që ishin me PS, kishte menduar se çfarë do të ndodhte. Se çfarë nuk thonë. Por në fund kishte fituar, dhe ishte habitur. Ne kemi njerëzillëk”, theksoi Rama.

Kandidatja Kejsi Elezi pohoi se vjen nga Kamza. “Vij nga një familje ku prioritet ka qenë biznesi. Ne jemi Tiranas prej shumë brezash. Studiova administrim biznesi. Tani jam këtu përpara të gjithëve duke përfaqësuar PS. Po ashtu, drejtimi i PS, falë juve, sot Shqipëria njihet në të gjithë botën. Unë jam në vit të dytë në universitet. Viti i parë është mësimi me ambientin, pedagogët, decani, etj. Viti i dytë është volumi më i lartë. Thirrja ime është që të mos lihen leksionet. Kam qenë e angazhuar në PS Kamëz. Edhe kur isha më e vogël, në gjimnaz isha tek “Deputet për një ditë”, tha ajo.

Kandidatja Sofika Lleshi u shpreh gjatë bashkëbisedimit se ka lindur në Mirëditë dhe është banuese në Kamëz. Ajo theksoi ka përfunduar studimet te “Artet” dhe sot është mësuese. “PS është e vetmja që më ka hapur derën, kur kam kërkuar të më dëgjohet zëri. Kam aplikuar tek platforma e Deputetit që duam. Kur aplikova thashë po e provoj, jo se kisha pritshmëri”, vijoi Lleshi.