AKTUALITET, 15 Mars 2025, 20:22

Berisha pas mbylljes së protestës: Rama mori sot ndëshkimin përfundimtar nga të rinjtë!

Berisha pas mbylljes së protestës: Rama mori sot ndëshkimin

Kreu i PD Sali Berisha tha sot pas protestës së mbajtur kundër mbylljes së Tik Tok se Edi Rama sot mori ndëshkimin përfundimtar. Ai theksoi se Rama sot u damkos si një armik i egër jo vetëm i TikTokut, por një armik i egër i lirisë, armik i egër i të rinjve shqiptarë.

"Ishte një manifestim i jashtëzakonshëm i vajzave dhe djemve të rinj kundër censurës për lirinë e fjalës dhe të mendimit. Ju i dëgjuat fjalët e tyre, fjalë që buronin nga shpirti i tyre i lirë, që buronin nga zemra te tyre rinore.
Edi Rama sot mori ndëshkimin përfundimtar. Sot u damkos si një armik i egër jo vetëm i TikTokut, por një armik i egër i lirisë, armik i egër i të rinjve shqiptarë. U damkos përfundimisht si biri i të atit, i cili 37 vite më parë urdhëronte varjen në litar të poetit Havzi Nela. Pra, Edi Rama sot mori ndëshkimin më të madh, më të merituar.
Ia thanë të gjitha të rinjtë. Kurrë nuk kam dëgjuar fjalime kaq të bukura, fjalimeve kaq kuptim të thellë, fjalime me kaq pasion sa dëgjova sot në këtë shesh. Ishte dita e tyre, ishte fjala e tyre dhe unë u mrekullova nga fjalët që mbajtën", deklaroi Berisha.