AKTUALITET, 15 Shtator 2022, 17:49

“Nuk mund të bësh grifshën”- Përplasje mes Tabakut dhe Felajt në Kuvend, ndërpritet seanca parlamentare

“Nuk mund të bësh grifshën”- Përplasje mes

Është shoqëruar me debate të ashpra seanca plenare e kësaj të enjteje. Shkak është bërë heqja e fjalës nga zëvendëskryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj për deputeten e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku.

Përplasja ndodhi teksa Tabaku mori fjalën për procedurë, por që iu hoq nga drejtuesja e seancës nën argumentin se po përdorte një gjuhë pa etikë ndaj kolegëve dhe nuk kishte të bënte me procedurën e kërkuar.

“Kur të mësosh t’u drejtohesh me edukatë të gjithë kolegëve atëherë do ta marrësh fjalën. Sa kohë komunikon pa etikë, nuk mund të bësh grifshën nga aty ku je. Fjalën e ka zonja Hoti”, tha Felaj.

Ndërkohë që Tabaku kërkoi ndërprerjen e seancës për të bërë ankesë ndaj Felajt për heqjen e të drejtës të fjalës. Kërkesë e cila u pranua.

“Kërkoj dy minuta pushim në emër të  grupit për të bërë ankesë ndaj drejtueses së Kuvendit për uzuprim për të drejtën e të folurës, për fyerjen është në etikën tuaj dhe me sa ju njoh ju mungon dhe nuk ua jap dot unë”, tha Tabaku.