TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Analisti Armand Shkullaku, e quan fushatën e Partisë Socialiste "absurde", ndërkohë që zgjedhjet i konsideron vetëm votime formale, pasi nuk ka garë dhe pushteti po cakton vetë edhe kundërshtarin, duke mos lejuar emrin e Berishës në fletën e votimit dhe duke vendosur si drejtues të koalicionit "Bashkë Fitojmë", Ilir Metën.
I ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, Shkullaku tha se Rama bën sikur konsideron kundërshtar PD-në e vulës (Alibeajt), por të gjithë fushatën po e zhvillon duke sulmuar Sali Berishën.
"Është fushata e parë e ndërtuar mbi absurdin. Ne debatojmë sikur ka zgjedhje, por këtë rradhë ka thjesht votime.
Ti thua zgjedhje, ndërkohë që i gjithë shteti, mazhoranca dhe veglat që i shërbejnë kanë caktuar jo vetëm kujt i takon logo, stema, përfaqësimi, madje edhe në rast se do tentojnë të votojnë njerëzit, njeriun se për kë do të votojnë, do t’ua caktojmë ne (PS).
Pasi morën vulën, komisionerët, lekët e KQZ, i caktuan palës tjetër që nuk mund të përfaqësohen me atë që duan, por do të jetë Meta në fletën e votimit, se na del propaganda kot.
E dyta, fushata, në këto zgjedhje kemi parë vetëm politikë në të gjithë fjalimet. Edhe kandidati për Tiranën më shumë flet për Berishën dhe Metën, sesa për fushatën e Tiranës.
Absurdi tjetër, u tha që kjo fushatë do të jetë pa lekë. Sot shohim që nuk janë mbjellë pemë, por janë mbjellë postera. Të gjithë rrugët janë me billbordet e PS.
Absurdi tjetër, thonë që kundërshtarë dhe opozitë është PD e vulës, pra Alibeaj. Por ndërkohë, edhe posterat edhe fushata është me Sali Berishën dhe Ilir Metën. Pra, bëjnë sikur kanë opozitë dhe fushatën e bëjne me diçka që sipas tyre nuk ekzsiton.
E fundit, ne dëgjojmë gjithandej, që ka një shproporcion, një absurd, thonë që ne kemi fituar dhe nuk kemi kundërshtar, por mobilizimi në terren dhe ethet e fushatës janë shumë më të forta sesa realiteti. Nuk shohim debate për qytetin, por betejë politike shproporcionale. Pse? Duan të eleminojnë çdo lloj rezistence dhe çdo lloj motivimi te njerëzit, që këtu diçka mund të ndryshojë. Duke asgjësuar çdo kundërshtar që kanë përballë, mendojnë se do të përjetësojnë pushtetin edhe në 2025", tha Shkullaku.