AKTUALITET, 31 Mars 2023, 09:37

Nuk ka punonjës për furrat, në Berat paralajmërohet shtrenjtimi i bukës; Shoqata: Për të mbajtur punëtorët pagat janë rritur 80%

Nuk ka punonjës për furrat, në Berat paralajmërohet

Mungesa e fuqisë punëtore po shton kostot edhe te prodhuesit e bukës.

Prej muajit shtator të vitit të kaluar, për shkak të mungesës së punëtorëve shumë furra buke në vend janë detyruar të rrisin pagat deri në 80%, me qëllim mbajtjen e profesionistëve. Shtimet e pagave kanë vështirësuar gjendjen te disa furra buke, të cilat kanë njoftuar për rritjet e para të çmimeve të bukës.

Në Berat një furrë buke ka lajmëruar se nga 1 prilli çmimet e bukës do të rriten nga 10 deri 20 lekë, për shkak të rritjes së pagave dhe vështirësive së gjetjes së punonjësve.

Kryetari i shoqatës së Prodhuesve të Bukës, Pastiçerive dhe Brumërave Gëzim Peshkopia tha për Monitor se rritja e çmimeve është individuale, ndërsa shtoi se nuk ka shtrenjtim të bukës masive në të gjithë tregun.

Peshkopia gjithashtu nënvizoi se mungesa e fuqisë punëtore, veçanërisht në rrethe është prezente edhe për prodhuesit e bukës.

Sipas tij për të mbajtur fuqinë aktuale të punëtorëve, furrat e bukës në shkallë vendi prej muajit shtator të vitit të kaluar në mënyrë të herëpashershme kanë rritur pagat e punonjësve. Drejtuesi i shoqatës thekson se prej vitit të kaluar pagat janë rritur 20 deri 80%.

“Për shkak të largimeve të popullatës për të mbajtur pozicionet e profesionistëve furrat e bukës kanë rritur pagat e punonjësve duke i çuar në nivelin mbi 50,000 lekë në muaj . Rrogat për shitëset dhe furrtarët janë rritur 20 deri 50%.

Për pozicionin e furrxhiut që është punëtori më kyç, pagat variojnë nga 60 mijë lekë deri në 100 mijë lekë në muaj. Rritja më e lartë ka qenë për punonjëset e pastrimit në nivelin 70 deri 80%, pasi është shumë e vështirë të gjesh punonjëse pastrimi”, pohoi z. Peshkopia.

Aktualisht çmimi i bukës masive është 100 lekë. Për periudhën 2021-2022 çmimi i bukës masive u rrit 3 herë radhazi me një rritje totale prej 71,4%. Shtrenjtimi i parë nisi në muajin shtator 2021, ku çmimi i bukës masive nga 70 lekë u rrit në 80 lekë (rritja 14%).

Në mesin e muajit mars 2022 çmimi i bukës shënoi sërish rritje duke arritur në 100 lekë (rritja 25%). Ndërsa në disa rrethe, si Korça, Pogradeci, Gjirokastra apo Saranda për shkak të shtrenjtimit të kostove të transportit të miellit nga karburanti çmimi i bukës arriti në 120 lekë. /Monitor