AKTUALITET, 30 Mars 2023, 22:44

"Ju nuk punoni për zgjedhjet, por i blini!"/ Debat i fortë mes Enton Abilekajt dhe Blendi Klosit në TPZ

"Ju nuk punoni për zgjedhjet, por i blini!"/ Debat i fortë

Enton Abilekaj ka debatuar me Sekretarin Organizativ të Partisë Socialiste, Blendi Klosi, në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV,  lidhur me zgjedhjet lokale dhe përpjekjet e qeverisë për të joshur votuesit, duke rritur pagat dhe duke ndarë shpërblime. 

Debati në TPZ: 

Blendi Klosi: Ne përgatitemi për garën. PS punon dhe në datën 15 maj ne fillojmë punën për të fituar zgjedhjet e 2025. Do të jemi prapë këtu, se ju qeshët dhe ne do të fitojmë prapë.

Enton Abilekaj: Ju jeni makineri elektorale, nuk e mohojmë. Por, të deklarosh shpërblim dhe rritje pagash në vit elektoral, do të thotë që nuk po punoni për zgjedhjet por po i blini zgjedhjet. Të shpërndash para për tërmetin në 2021, dy muaj para zgjedhjeve, tregon se po i ble zgjedhjet.

Blendi Klosi: Do të isha dakord që përfaqësues të opozitës të ngrinin këtë temë në Parlament dhe të japim argumentat. Në kohën kur mund të bënin këtë punë ata merren me njëri tjetrin. Ky nuk është faji i Ramës dhe i PS-së që punon dhe programon dhe paraqitet në garë.

Enton Abilekaj: Rrogat nuk i ngre dot opozita.

Blendi Klosi: Rritja e pagave dhe pensioneve dhe rritja e mirëqenies së qytetarëve është mision dhe prioriteti ynë si forcë politike. 

Enton Abilekaj: Nuk e keni bërë deri tani, e bëni për zgjedhje. Rrisni pagat dhe jepni shpërblim, ndërkohë që inflacioni po bie. Kjo është masë elektorale. Kur u rritën vërtetë çmimet ju nuk dhatë asnjë lek! 

Blendi Klosi: Rritja e cmimeve nuk kishte lidhje me Shqipërinë, ndodhi pa luftës në Ukrainë. Qeveria merr përditë masa dhe këtë punë ka qeveria.