AKTUALITET, 18 Shtator 2022, 21:51

Ngjarjet kriminale në Shkodër dhe Korçë, Ervin Salianji: Shqipëria është pa rend dhe siguri, banditët nuk kanë frikë nga shteti

Ngjarjet kriminale në Shkodër dhe Korçë, Ervin Salianji:

Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar në lidhje me ngjarjet kriminale të kësaj të diele, ku një 19-vjeçar mbeti i vrarë në Shkodër dhe një tjetër person u plagos në Korçë me armë zjarri.

Përmes një postimi në Facebook, Salianji shkruan se këto dy ngjarje të ndodhur në harkun kohor të disa minutave tregojnë se Shqipëria është një vend pa rend dhe siguri.

Ai shton se e situatën që po kalon vendi dëshmohet se siguri dhe rend duket se ka vetëm për bandat dhe krimin e organizuar.

POSTIMI I PLOTË

Ngjarjet e sotme kriminale në Shkodër dhe Korçë edhe njëherë tjetër tregojnë që Shqipëria është pa rend dhe siguri, që banditët nuk kanë frikë nga autoriteti i shtetit dhe zgjedhin kur dhe ku të duan të lajnë hesapet me njëri tjetrin apo të kërcënojnë ata që nuk ju nënshtrohen!

Ndërkohë që grupet kriminale janë sofistikuar dhe qytetarët janë nën terror, kryeministri ka një realitet paralel kur shprehet se Shqipëria është më e sigurta!

Siguri deri më sot po tregohet që kanë vetëm bandat e krimit të organizuar, siguri që janë të paprekshëm, që çfarëdo të bëjnë qeveria do numërojë makinat e djegura dhe do përpiqet të mbulojë kriminalitetin e lartë me propagandë!