AKTUALITET, 28 Tetor 2025, 09:08

Ngjarja e rëndë/ I dehuri me Porsche i merr jetën 17-vjeçarit në Vlorë, familjarët në dyert e morgut: Nuk na japin trupin e djalit

Ngjarja e rëndë/ I dehuri me Porsche i merr jetën

Një aksident i rëndë ka ndodhur rreth orës 01:30 të natës së djeshme në qytetin e Vlorës, ku një 17-vjeçar ka humbur jetën në mënyrë tragjike pasi u përplas nga një makinë teksa po udhëtonte me motor. Viktima është identifikuar si Leandro Shametaj, 17 vjeç.

Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, përplasja ka qenë fatale dhe i mituri ka ndërruar jetë menjëherë. Të njëjtat burime tregojnë se për shkak të goditjes së fortë, trupi i viktimës është dëmtuar rëndë.

Familjarët e të riut ndodhen në spital, ku po përpiqen të tërheqin trupin e pajetë të djalit.

Ata shprehen të revoltuar pasi, sipas tyre, nuk po marrin asnjë përgjigje nga autoritetet, ndërsa trupi i të ndjerit po mbahet për autopsi.

Dyshohet se i riu që drejtonte makinën tip Porsche mund të ketë qenë nën efektin e alkoolit dhe me shpejtësi të lartë.

Sipas njoftimeve zyrtare, mjeti që drejtohej nga H.B 32 vjeç, është përplasur me motomjetin  që drejtohej nga L.SH, vetëm 17 vjeç.

I riu u transportua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Vlorës, por, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marra.

Drejtuesi i automjetit, Haiti Bajramaj, është shoqëruar nga policia në ambientet e DVP Vlorë, ndërsa grupi hetimor po punon për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit tragjik.