AKTUALITET, 27 Maj 2025, 15:21

Nga Tajlanda në Shqipëri, mbërrin droga e re, Yellow Zushi. Si u zbulua në valixhen e një 39-vjeçari (Detajet)

Nga Tajlanda në Shqipëri, mbërrin droga e re, Yellow Zushi. Si u

Rasti jotipik i trafikut të drogës i kapur nga policia e Tiranës një ditë më parë ku nëpërmjet një valixheje një 39-vjeçar solli në Shqipëri nga Tajlanda më shumë se 19 kg drogë tregoi një dukuri të re.

Në vendin tonë po qarkullon një drogë e re e quajtur Yellow Zushi. Ky është një varietet i fuqishëm i kanabisit, i cili prodhohet në ambiente të mbyllura nëpërmjet llambave. Kjo drogë shitet me çmime që fillojnë nga 50 euro për gram, ndërkohë që efekti i saj është shumë më i fuqishëm se kanabisi i zakonshëm, për shkak të përqindjes së lartë të THC. E veçanta e kësaj droge është se shpesh herë asaj i injektohen aroma të frutave ekzotikë çka e bën këtë drogë më elitare.

Kjo drogë ka gjetur prej kohës terren në vendet e Bashkimit Evropian si Italia dhe Spanja ku kultivohet dhe tregtohet ndërsa në Shqipëri, ardhja nga Tailanda ishte episodi i parë.

Yellow Zushi është thjesht emri i radhës në listën e gjatë të substancave narkotike që i premtojnë rinisë arratisje, por në fakt u japin robëri. Dikur ishte hashashi i Lazaratit, pastaj erdhën kristalet, pilulat, dhe tani drogat e importuara që vijnë në treg si mall luksi por paguhen me shëndetin mendor, trupin dhe shpesh edhe jetën e përdoruesve të drogës.