AKTUALITET, 27 Maj 2025, 12:36

Berisha: Rama festë mortore! Foli për Dumanin, sikur Enver Hoxha për Aranit Çelën! Qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme

Berisha: Rama festë mortore! Foli për Dumanin, sikur Enver Hoxha

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali berisha, vijon të mos e pranojë humbjen e thellë të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, ku PS mori 83 mandate të certifikuara tashmë nga KQZ, kurse PD vetëm 50 mandate, në humbjen më të thellë që nga 1997.

Ai sot hodhi akuza të rënda ndaj kryeministrit Edi Rama dhe PS, duke e cilësuar 11 majin si “farsë elektorale”.

Ai sulmoi edhe SPAK-un duke e quajtur “të partisë dhe kamzhik i Ramës” që ua tregoi dje gjatë festës deputetëve të zgjedhur nga klanet kriminale të drogës, duke u përmendur edhe emrat.

Berisha tha se “Rama foli për Dumanin si Enver Hoxha për Aranit Çelën”, teksa këmbënguli se nuk tërhiqet deri në “qeveri teknike, zgjedhje të parakoshme dhe largim të Ramës”.

“Festa e PS-së dhe farsës elektorale sikur të ishte një takim mortor. Asnjë buzëqeshje në fytyrë, mjaftonte t’i lexojë fytyrat. Me përfaqësuesit e narkoshtetit, bandat më të rrezikshme të Shqipërisë, rajonit dhe Europës, të karteleve të drogës, Troplinit, Arkend Ballën, Sara Milen, Anui Dyrmishin, grupin e kartelit të Elbasanit, përfaqësuesit të Shytëve, Julianit të Pashakos, Renato Salihit dhe Arben Qimes, përkatësisht Klosi, pezaku apo jopezaku, Klodjan jahja, Korreshi dhe përfaqësues të tjerë, të Bajrëve, Tukut, përkatësisht Shkodër dhe lezhë, Tërmet Peçëve, e shumë përfaqësuesve të tjerë të botës së krimit”, tha Berisha.
Më tej ai sulmoi edhe Prokurorinë e Posaçme, duke e cilësuar si “Skapi dhe kamxhiku i Ramës”.

“Në këtë takim Edi Rama u tha shqiptarëve se kërbaçi i tij është SPAK. Lëvizni u tha atyre, po deshët, ja tek është SPAK-u, që është në duart e mia, duke e ditur se ata janë përfaqësuesit e krimit. SPAK-un nuk ia tregoi vetëm atyre, por edhe padronëve të vërtetë që i nxorën deputetë në lista. Edhe Enver Hoxha një takim të tillë përçmues vështirë se do e arrinte. Ai foli për Altinin njëlloj si Enveri për Aranitin! Shqiptarët mësuan se farsa elektorale prodhoi një narkoparlament, i cili ditën, mbledhjen, pa hyrë akoma në sallë, me SKAP-in si kamzhik të partisë së tij”, tha kreu i selisë blu.
Berisha përsëriti thirrjen për qeveri teknike dhe zgjehdje të parakohshme.

“Po paguan shuma të jashtëzakonshme për ta ndryshuar situatën e raportit zgjedhor ndërkombëtar, po bën telefonata të pafundme. Raporti do jetë përfundimtar dhe pasqyrë e fjalën do e ketë vetëm populli shqiptra. Zgjidhja është largimi i Ramës, qeveri teknike, zgjedhje të parakohëshme, nuk pranojmë farsë elektorale”, u shpreh ai, teksa vijoi me pamje nga përplasjet ditën e zgjedhjeve në Vorë, ku Flamur Noka dhe Albana Vokshi sulmuan qytetarët gjatë votimit, teksa Berisha i cilësoi personat si “banda e Xhabaftëve”.