TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Analisti Neritan Sejamini deklaroi në emisionin "Të Paekspozuarit", në MCN TV, se kryetari i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri, duhej të ishte në drejtim të bashkisë, pas fitores në zgjedhjet e 14 majit. Sejamini tha se qytetarët e Himarës kanë vendosur që bashkinë ta drejtojë Fredi Beleri që u arrestua mesnatën e 12 majit me akuzën për blerje votash dhe po mbahet në burg, ndërsa drejtësia shqiptare duket se po bën ping-pong, duke mos e lënë të lirohet dhe të bëjë betimin.
“Gjëja e parë, le të shikojmë cilat janë të drejtat dhe procesi i rregullt për këtë rast. Ne mund të kemi opinione të ndryshme, por kur kjo është një çështje e rëndësishme dhe kemi të bëjmë me të drejtat e një personi, duhet të jemi të qartë se çfarë do të dëshironim ne dhe cila është e drejta.
E para, është aspekti i drejtësisë, dhe unë nuk e komentoj dot këtë, e marrë për të mirëqenë ato që vendos drejtësia.
Aspekti i dytë është ai politik, qytetarët e Himarës në shumicë ka vendosur që bashkinë e tyre ta drejtonte Beleri dhe jo Gjergji Goro. Sot, në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve, vijon ta drejtojë Gjergji Goro.
Pa diskutim kjo situatë ka ardhur duke zbatuar në mënyrë sipërfaqësore ligjin. Kushtetuta thotë se vazhdon mandati i kryebashkiakut, derisa të vijë tjetri. Nga ana tjetër, Beleri nuk është se ka marrë mandatin e kryebashkiakut, që vë në vështirësi tezën a mund ta shkarkojë Rama. Në fakt ai nuk ka nga ta shkarkojë sepse Beleri nuk është sot kryebashkiak i Himarës, sepse ligji shqiptar thotë se mandati fillon kur ti ke kryer betimin.
Sot bashkia e Himarës duhe të qeverisej nga Fredi Beleri, na pëlqen apo jo ai si person.
Nga ana e drejtësisë, ai sot është prapë i pafajshëm dhe ka bërë të gjithë përpjekjet e veta, për të fituar këtë të drejtë për t’u betuar.
Po ta shikosh, drejtësia shqiptare duket se po bën ping-pong. Ai hodhi në gjyq Drejtorinë e Burgjeve, që nuk dha leje për t’u betuar. Ligji shqiptar thotë që ai mund të marrë leje për t’u betuar edhe nëse ka dasëm djali i xhaxhait. Ndërsa për një ngjarje kaq të rëndësishme… Drejtoria e Burgjeve nuk ka dhënë leje sepse thotë nuk e lejon ligji.
Gjykata e Posaçme tha nuk e kam unë juridiksionin dhe ia kaloi gjykatës së Durrësit.
Gjykata e Durrësit thotë nuk e di a më takon mua dhe ia çon Gjykatës së Lartë.
Këto vendime janë të rregullta, por drejtësia që vonon, duket që është e padrejtë.
Pse e kanë kaq të vështirë gjykatat shqiptare të vendosin? Po, nuk të lejoj, pse nuk thotë nuk ke të drejtë? Pse e zvarrisin? Kjo lloj zvarritje e humbet besueshmërinë.
Është në kufijtë e ligjit, por si qytetar them, kaq frikë kanë këta gjyqtarë?
Pastaj, për aspektin politik, unë mendoj se opozita nuk duhet ta kandidonte Belerin. E marr të mirëqenë që është i pafajshëm, është akuzuar për shumë gjëra por nuk është dënuar. Por, opozita nuk mund të kandidonte një figurë që dihej se do të krijonte probleme, që në publikun shqiptar ka ato ngarkesa që ka.
Dhe jam i bindur që minoriteti grek, ka figura shumë më bashkuese, midis shqiptarëve dhe grekëve etnikë”- u shpreh ndër të tjera Sejamini.