AKTUALITET, 4 Prill 2025, 11:24

Dosja/ Nën hetim në dosjen e Erion Veliajt, biznesmeni paraqitet në SPAK

Dosja/ Nën hetim në dosjen e Erion Veliajt, biznesmeni paraqitet

Biznesmeni Gentian Sula, i cili është nën hetim për dosjen e Erion Velajt, është paraqitur në SPAK paraditen e sotme.

Biznesmeni është paraqitur në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje” të caktuar ndaj tij.

Gentian Sula është në mesin e biznesmenëve që janë nën hetim në dosjen e kryebashkiakut Erion Veliaj pasi dyshohen si përfitues të tenderave nga Bashkia e Tiranës.

SPAK thotë se ka grumbulluar prova të cilat të çojnë në konkluzionin se ekziston dyshimi i arsyeshëm se biznesmenët me masa sigurie, përfshirë Sulën, me veprime aktive të kundërligjshme kanë konsumuar elementë të veprës penale“Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”.

“Këta shtetas, dyshohet se kanë dhënë përfitime të parregullta tek i zgjedhuri vendor dhe bashkëshortja e tij, drejtpërsëdrejti ose nëpërmjet OJF-ve, shoqërive me përgjegjësi të kufizuar dhe personave fizikë të kontrolluar nga kjo e fundit, të cilat konsistojnë në pasuri të paluajtshme (godinë banimi e tipit “vilë”), sponsorizime, likuidime faturash për shërbime konsulence ligjore fiktive, blerje sendesh në mënyrë fiktive, financime fiktive festivalesh artistike, pagesa udhëtimesh e qëndrime në hotel etj. Të gjithë subjektet tregtare që shtetasit nën hetim GENTIAN SULA., FATMIR BEKTASHI. SOKOL KRYEZIU, SHKELQIM FUSHA dhe MERIMAN PALUSHI përfaqësojnë, gjatë kohës që korrespondon me periudhën e dhënies së përfitimeve të parregullta, por jo vetëm, kanë përfituar nga Bashkia Tiranë, me firmën e titullarit të saj, fonde të konsiderueshme publike si edhe leje ndërtimi”, thotë SPAK.

HETIMET E SPAK

Prokuroria e Posaçme SPAK ka dalë me njoftim zyrtar në lidhje me arrestimin e Erion Veliajt, masën e sigurisë ‘arrest në shtëpi’ ndaj bashkëshortes së tij Ajola Xoxa, si dhe masat e sigurisë ‘detyrim paraqitje’ ndaj 5 biznesmenëve.

Sipas SPAK, Erion Veliaj akuzohet “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Ajola Xoxa akuzohet për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë), “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.

Gentian Sula, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu dhe Shkëlqim Fusha, akuzohen për veprën penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”.

Gjithashtu masë sigurie “arrest në burg” është caktuar ndaj një zyrtari, emri i të cilit ende nuk është publik.