AKTUALITET, 1 Mars 2026, 11:12

Në vilën 31 ndodheshin 10 persona, artistja greke publikon pamjet e sulmit me molotovë nga protestuesit e PD-së (VIDEO)

Në vilën 31 ndodheshin 10 persona, artistja greke publikon pamjet e

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me sulmin e ndodhur mbrëmjen e sotme ndaj vilës së ish-diktatorit Enver Hoxha, e cila prej disa kohësh funksionon si rezidencë artistike ndërkombëtare.

Godina, e kthyer në një hapësirë pritëse për artistë nga vende të ndryshme të botës dhe e menaxhuar nga fondacioni francez Art Explora, u sulmua me breshëri molotovësh dhe mjete piroteknike nga protestuesit e opozitës.

Sipas informacioneve të konfirmuara, në momentin e sulmit brenda godinës ndodheshin 10 persona, mes tyre 7 artistë dhe 3 anëtarë të stafit. Pamjet e transmetuara tregojnë qartë praninë e njerëzve në ambientet e brendshme në çastin kur hidhen mjetet ndezëse.

Rezidenca, e cila për periudhën janar-mars ka mirëpritur tetë artistë nga Polonia, Greqia, Turqia, Kosova, Kina, Bangladeshi dhe Bosnje-Hercegovina, ishte aktive edhe gjatë ditës së sotme. Vetë artistët kishin ndarë në rrjete sociale momente nga aktivitetet e zhvilluara brenda vilës, pak orë përpara incidentit.

Artistja greke Amalia Vekri publikoi në profilin e saj pamje nga momenti i sulmit, ku shihen protestues duke hedhur molotovë drejt godinës.

Lista e artistëve përfshin emra nga skena ndërkombëtare si: Agnieszka Mastalerz (Poloni), Amalia Vekri (Greqi), Betül Aksu (Turqi), Dardan Zhegrova (Kosovë), Kemil Bekteši (Bosnje-Hercegovinë & Kosovë), Lumturie Krasniqi (Kosovë), Palash Bhattacharjee (Bangladesh) dhe Yao Qingmei (Kinë).

Më herët, nga informacionet paraprake u raportua se në godinë ndodheshin edhe shtetas amerikanë, por deri në këto momente nuk ka konfirmim zyrtar për praninë e tyre në ambientet e vilës në kohën e sulmit.