AKTUALITET, 25 Maj 2023, 19:49

Ndryshimet në ligjin e pronave, ATP tregon çfarë ndodh: Nuk do të ketë më vlerësim financiar më pak se 10 për qind, procedim administrativ për dosjet e patrajtuara

Ndryshimet në ligjin e pronave, ATP tregon çfarë ndodh: Nuk do

Agjencia e Trajtimit të Pronave bëri të ditur sot se me hyrjen në fuqi të ndryshimeve në ligjin e pronave dhe miratimin e dy vendimeve të Këshillit të Ministrave, nuk ka më asnjë pengesë ligjore për vijueshmërinë e procesit të njohjes dhe kthimit të pronës si dhe të kompensimit të saj.

Me ndryshimet ligjore dhe nënligjore, të cilat erdhën në kuadër të rekomandimeve të dhëna nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në vendimin “Beshiri kundër Shqipërisë”, si dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Agjencia e Trajtimit të Pronave bëri të ditur se do të fillojë procedimin administrativ për ato dosje të patrajtuara më parë me vendim, si dhe nuk do të ketë më kufizim në kthimin fizik të pronës.

“Të gjithë ato subjekte të cilët i janë drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë për kërkesat e patrajtuara për njohjen e pronës, kanë të drejtë të heqin dorë nga gjykimi i çështjes dhe të paraqesin kërkesë pranë Agjencisë së Trajtimit të Pronave për shqyrtimin e dosjes së tyre.
Gjithashtu do të rihapet afati për të vlerësuar financiarisht, të gjitha ato vendime me të drejtë kompensimi të pavlerësuara më parë, nuk do të ketë më vlerësim financiar më pak se 10 për qind sipas zërit kadastral aktual si dhe do të indeksohet shuma e kompensimit deri në pagesën përfundimtare”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, bëhet e ditur se subjektet që i janë drejtuar Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë për të kërkuar vlerësimin financiar, kanë të drejtë të heqin dorë nga gjykimi i çështjes dhe të paraqesin kërkesë pranë Agjencisë së Trajtimit të Pronave.