AKTUALITET, 25 Maj 2023, 18:09

"Më jep 500 mijë lekë nëse..."/ Shantazhonte bizneset me gjobë ose mbyllje të aktivitetit, SPAK arreston inspektorin e Shëndetësisë

"Më jep 500 mijë lekë nëse..."/ Shantazhonte

Me urdhër të SPAK, një inspektor i Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor është arrestuar, pasi i ushtronte presion bizneseve. Siç bën të ditur prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, gjatë kontrollit punonjësi me inicialet M.M,. kur konstatonte se bizneset nuk kishin plotësuar dokumentacionin, i paralajmëronte ata se do të gjobiteshin me 1 mln lekë të reja ose do t’i mbyllje aktiviteti. Që kjo të mos ndodhte inspektori kërkonte 500 mijë lekë ryshfet brenda 24 orëve.

Gjatë arrestimit në flagrancë inspektorit i janë sekuestruar edhe 200.000 (dyqindë mijë) lekë, e përftuar në mënyrë të paligjshme.

NJOFTIMI I SPAK

“Më datë 24.05.2023, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka marrë informacion se një person i prezantuar si inspektor pranë Inspektoriatit të Shëndetësisë, shkonte për kontroll në subjekte të ndryshme, tregtarë në qytetin e Tiranës, tek të cilët ushtronte presion se nuk kishin licencimin e duhur për vijimin e aktivitetit, dhe se gjoba në këto raste shkonte deri në 1.000.000 (një milion) lekë, si dhe me mbylljen e biznesit deri në likuidimin e kësaj mase administrative. Sipas informacionit paraprak rezulton se, ky inspektor u thoshte subjekteve tregtarë se një problem i tillë mund të zgjidhej kundrejt përfitimit të parregullt, vetëm pas marrjes prej tij të gjysmës së shumës së gjobës që vihet në raste të tilla, e më konkretisht të shumës monetare prej 500.000 (pesëqind mije) lekë, por një pjesë e kësaj shume monetare duhej të paguhej brenda 24 orëve; përndryshe do vijohej me procedurat administrative të aplikimit të gjobës dhe mbylljes së aktivitetit deri në likujdimin e masës administrative”, njofton SPAK.