TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një shtetas humbi jetën dje në një aksident të ndodhur paradite në Dibër. Policia tha se aksidenti ndodhi rreth orës 10:00, në dalje të qytetit të Peshkopisë, ku shtetasi Bledar Spahiu, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit, i cili ka dalë nga rruga duke rënë disa metra poshtë saj. Më pas ai ndërroi jetë gjatë transportit për tek spitali i Traumës në Tiranës.
Bledar Spahiu, 43-vjeçari i cili humbi jetën tragjikisht në një aksident të rëndë teksa po udhëtonte drejt një misioni për të ndihmuar në shuarjen e flakëve që kishin përfshirë Parkun Kombëtar Lurë-Mali i Dejës.
Ngjarja ndodhi paraditen e së martës, në aksin Maqellarë-Peshkopi të Rrugës së Arbrit. Bledari, një punonjës me 19 vite përvojë në Administratën e Zonave të Mbrojtura në Dibër, po drejtonte automjetin e tij kur, rreth orës 10:00, dyshohet se humbi kontrollin, duke bërë që makina të dilte nga rruga dhe të përfundonte disa metra poshtë në humnerë.
Menjëherë pas aksidentit, ai u dërgua në Spitalin Rajonal të Dibrës, por për shkak të gjendjes së rënduar, u nis me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë. Fatkeqësisht, Bledari nuk mundi t’i mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë gjatë rrugës.
Ai la pas tre fëmijë dhe një familje të zhytur në dhimbje e pikëllim. Udhëtimi i tij nuk ishte një udhëtim i zakonshëm, por një mision për të ndihmuar kolegët zjarrfikës që po përballeshin me flakët në zonën e Lurës.
Dedikimi dhe sakrifica e tij kanë prekur zemrat e shumë qytetarëve, ndërsa familjarët e Bledarit kanë bërë një apel publik për mbështetje financiare nga shteti, duke kërkuar dëmshpërblim për humbjen e njeriut të tyre të dashur që u nis për të shuar flakët, por nuk u kthye më.