AKTUALITET, 22 Korrik 2025, 20:46

Dita Botërore e Trurit/ Ministrja Koçiu ndan rastin e pacientes 16-vjeçare: U përball me komplikacione serioze, por sot...

Dita Botërore e Trurit/ Ministrja Koçiu ndan rastin e pacientes

Në Ditën Ndërkombëtare të Trurit, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau në rrjetet sociale historinë e suksesit në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, atë të ndërhyrjes së specializuar tek një paciente 16-vjeçare.

Ministrja Koçiu tha se 16-vjeçarja është diagnostikuar me hidrocefali që foshnjë, por pas një ndërhyrjeje të hershme në QSUT, ajo jetoi për vite me sistem drenazhues, por së fundmi u përball me komplikacione serioze.

Sipas Koçiut, falë bashkëpunimit të ekipeve të neurokirurgjisë, reanimacionit, imazherisë dhe infeksionit në QSUT, u arrit një diagnostikim i shpejtë dhe një ndërhyrje moderne përmes neuroendoskopisë, pa nevojë për tuba të rinj.

“Sot 16-vjeçarja është në shtëpi, e shëndetshme dhe plot jetë, një histori suksesi e mjekëve tanë dhe teknologjisë së avancuar”, tha Koçiu në një postim në rrjetet sociale.

Gjithashtu, ministrja Koçiu u ka shprehur mirënjohjen ekipit të mjekëve: Neurokirurg Prof. Artur Xhumari, Dr. Myfit Saraçi, instrumentare infermiere Ganimete Arapi (Hazizolli) dhe Albjon Jupe.

Dita Botërore e Trurit është një ngjarje globale e kujdesit shëndetësor që shënohet më 22 korrik të çdo viti, duke synuar ndërgjegjësimin për sëmundjet e trurit.

Në këtë ditë, organizata dhe komunitete të ndryshme lokale dhe globale mblidhen duke bërë thirrje për një kujdes më të madh shëndetësor, edukimin dhe kërkimin shkencore mbi kushtet neurologjike.