AKTUALITET, 23 Korrik 2025, 09:58

U futën mes flakëve, 3 efektivë policie shpëtojnë të moshuarin në Korçë (VIDEO)

U futën mes flakëve, 3 efektivë policie shpëtojnë

Një banesë në zonën e quajtur “Rruga e Ersekës” është përfshirë totalisht nga flakët pasditen e kësaj të marte. Mësohet se i zoti i shtëpisë ka mbetur i lënduar lehtë, ndërsa zjarri ka nisur në ambientet e brendshme të banesës.

Tre punonjësit e Patrullës së Përgjithshme në DVP Korçë rrezikuan jetën duke u futur mes flakëve dhe shpëtuan të moshuarin që ishte rrethuar nga flakët e zjarrit.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, falënderoi efektivët që rrezikuan jetën për të shpëtuarin banorin.

"Të nderuar kolegë, Laura Leka, Aurel Jesku dhe Klodian Dulellari,

Ndihem thellësisht i emocionuar dhe krenar për guximin, sakrificën dhe humanizmin tuaj. Me ndjenjë të lartë përgjegjësie dhe përkushtimi, rrezikuat jetën për të shpëtuar një qytetar të moshuar, i cili ishte rrethuar nga flakët dhe rrezikonte të asfiksohej e të digjej.

Ky akt fisnik tregon më së miri se të jesh pjesë e Policisë së Shtetit është shumë më tepër se një detyrë, është një mision i shenjtë në mbrojtje të jetës.

Për ne, shërbimi ndaj qytetarëve nuk është thjesht një përgjegjësi institucionale, por një thirrje e përditshme për të qenë pranë tyre, sidomos në momentet më të vështira.

Ju falënderoj nga zemra për shembullin e jashtëzakonshëm që dhatë dhe për nderin që i bëtë uniformës sonë.

Krenar për ju dhe për të gjithë efektivët e Policisë që e nderojnë Policinë e Shtetit me veprime që frymëzojnë dhe rrisin besimin e qytetarëve tek Policia.

Suksese në përmbushjen e misionit tonë, sa të vështirë, aq edhe fisnik!"- shkroi Proda.