AKTUALITET, 23 Korrik 2025, 10:06

Mik me Ervis Martinajn dhe Pëllumb Gjokën, anëtari i grupit të "Bajrave" do të ekstradohet sot nga Dubai

Mik me Ervis Martinajn dhe Pëllumb Gjokën, anëtari i grupit

Një i kërkuar për vepra të rënda penale dhe i njohur si pjesë e grupit kriminal ‘Bajri’, Denis Brajoviq, pritet të ekstradohet sot si rezultat i bashkëpunimit ndërkombëtar mes Interpol Tiranës, Interpol Abu Dhabi dhe autoriteteve të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Policia e Shtetit njofton se gjatë ditës së sotme pritet të përfundojnë procedurat për ekstradimin nga Dubai drejt Shqipërisë të shtetasit shqiptar Denis Brajoviq, 37 vjeç, një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Brajoviq ishte në kërkim prej kohësh, pas vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në Tiranë, e cila ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë "Arrest në burg". Ai akuzohet për një sërë veprash të rënda penale, të kryera në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, konkretisht: Vrasje me paramendim, në bashkëpunim; Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municioneve; Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal; Kryerje veprash penale nga organizata kriminale; Sigurim i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje.

Operacioni për arrestimin dhe ekstradimin e Brajoviq është zhvilluar në kuadër të operacionit policor ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, i cili synon identifikimin dhe kapjen e personave në arrati të përfshirë në veprimtari të rënda kriminale.

Pritet që pas mbërritjes së tij në Shqipëri, Denis Brajoviq të përballet me autoritetet gjyqësore për vijimin e procedurave ligjore.

Kujtojmë që, komunikimet në aplikacionin “SkyECC” të zbardhura nga autoritetet franceze zbuluan se vrasja e Gjin Boriçit ishte organizuar nga Behar Bajri, ndërsa në rolin e ekzekutorit ishte Denis Brajoviq (Bajri).

Në përgjime SPAK ka mundur të zbardh biseda që konfirmojnë autorësinë e vrasjes dhe që korrespondojnë fiks me oraret e ekzekutimit. Fillimisht, Denis Bajri në “SkyECC” njofton Behar Bajrin dhe i shkruan “kryvi”. Të njëjtin mesazh pak minuta më vonë ia nisën edhe Ervis Martinajt.

Për këtë vrasje, biznesmeni Pëllumb Gjoka ishte ai që pajtoi Behar Bajrin dhe Behari ia la porosi Denisit, në këmbim më pas Gjoka kërkoi vrasjen e ish-policit të burgut, Kleanth Musabelliu, i cili shpëtoi. Behar dhe Gjin Boriçi ishin miq në atë kohë dhe pas vrasjes i shkoi në varrim.