AKTUALITET, 22 Korrik 2025, 17:46

Pas ftesës për "duel politik" nga Lapaj, Shabani ia kalon "topin" dajës: Mos më tërhiq në një valle që nuk është e imja

Pas ftesës për "duel politik" nga Lapaj, Shabani ia kalon

Përplasja mes kreut të “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, dhe kryetarit të Nismës “Thurje”, Endri Shabani, ka hyrë në një fazë të re, pasi ky i fundit i është përgjigjur publikisht ftesës së Lapajt për një duel politik.

Shabani e konsideron thirrjen si një manovër të padrejtë, duke akuzuar Lapajn për përdorim të mjeteve të pabarabarta në diskursin publik, siç janë “shpifjet, gënjeshtrat dhe fabrikimi i të vërtetës”.

“Jam thirrur në një duel publik me mjete që nuk dua dhe nuk di t’i përdor. Adriatik Lapaj po shpif, po gënjen dhe po përpiqet të fabrikojë një version të vetin të së vërtetës, për të dalë i larë nga një çorbë që e ka gatuar vetë,” shkruan Shabani.

Në reagimin e tij, Shabani thekson se nuk ka tentuar asnjëherë ta pengojë Lapajn të hyjë në Parlament, madje ka qenë i hapur që ai apo çdo kandidat tjetër që ai ka përzgjedhur, të marrë mandatin. Por thekson se konflikti real është mes Lapajt dhe deputetit Zeqir Zeqiri, i cili, sipas Shabanit, ndihet i tradhtuar nga mosrespektimi i një marrëveshjeje të mëparshme, që parashikonte dorëheqjen e Lapajt nëse do të mbetej deputet i vetëm.

“Unë nuk jam as Zeqiri dhe as avokati i tij. Ai është i afërmi im, po, por ka kokën e vet. Nuk kam asnjë autoritet mbi të, ashtu siç Lapaj nuk mban përgjegjësi për familjarët e tij që kanë kërcënuar në emër të tij,” shkruan Shabani, duke theksuar se përpjekjet për ta bërë atë përgjegjës për vendimet e një tjetri janë të pajustifikueshme.

Ai përmend gjithashtu se motrës së Lapajt i është liruar vendi në listë pikërisht nga një i afërm i tij, çka sipas tij tregon se akuzat ndaj tij janë të pavend.

“Mos më tërhiq në një valle që nuk është e imja. Nuk jam deputet dhe nuk dua të bëhem deputet. Çfarë ke me dajën, mos ma kërko mua,” përfundon Shabani, duke shtuar se i gjithë ky konflikt po shkatërron atë që është cilësuar si “politika e re”.