AKTUALITET, 23 Maj 2023, 13:18

“E rrihte me kabllo, me thikë, me çelësa”, rrëfimi i nënës së 28-vjeçares që u vra nga ish-burri në Gjermani: As serbi nuk bën kështu

“E rrihte me kabllo, me thikë, me çelësa”,
28-vjeçarja e vrarë në Gjermani

Një krim i rëndë ndodhi të shtunën në një familje kosovare në Gjermani, ku burri Besmir Ademi, ka vrarë gruan e tij, Jetmira Bekën, 28 vjeç dhe nënë e tre fëmijëve të mitur.

Nëna e viktimës ka rrëfyer për torturat që ia ka bërë dorasi, vajzës së saj.

“Që 8 vite e kërcënume prej tyne, jo e mysim sot jo e mysim nesër. Nëse ti thu diçka në familjen tande, ose dahesh prej meje. Ai ka përdor dhunë fizike, dhunë psiqike. Ai ka përdor dhunë që nuk e përdor një serb, se s’po du me përdor fjalën serb se edhe ai është popull, por unë e kam babën e zhdukur prej Serbisë. Po nuk e përdor dhunën që e përdor Besmir Ademi.

Ky është nipi i avokatit Sheremet Ademi. Sheremet Ademi që i mbron të drejtat e njeriut, s’u kanë në gjendje me na thirrë me thanë ka ndodhë qa ka ndodhë, na vjen keq, edhe Jetmirën, që u kanë një çike që nuk mundet me gjet në trojet shqiptare, s’ka thirrë me na kërku falje”, tha ajo.

Ajo rrëfen se vajza e tij është ndarë që dy muaj nga dorasi, me ndërhyrjen e shtetit gjerman.

“Jetmira është nda që dy muaj prej tij. E ka nda shteti gjerman për shkak të dhunës që ka përdorur Besmir Ademi. Jetmira kishte dalë nga shtëpia. Policia e ka kthy Jetmirën në shtëpi se i ka tre fëmijë. Mas 10 ditëve, shteti e ka marrë Jetmirën e ka çu në shtëpi të grave”, tha tutje ajo.

Madje tregon se si viktima, për një kohë të gjatë ishte torturuar në mënyrat më çnjerëzore nga burri i saj.

“Ai s’ka mujt me përballu ata pse kjo dahet prej meje.  Kjo u kanë e rrehne me kabull të televizorit. U kanë e rrehme me thikë në fytë, me çelësa të makinës. I ka thanë që nëse dahesh prej meje, ka me ta pre vajzën, Ledinën, që është 7 vjeçe", tha ajo.