AKTUALITET, 14 Shtator 2025, 17:06

Ministrja "Diella" qenka ish-zëdhënësja e Bashës, aktorja: Unë jam imazhi në e-Albania, kontrata skadon në dhjetor

Ministrja "Diella" qenka ish-zëdhënësja e Bashës,
Anila Bisha, imazhi i ministres "Diella"

Anila Bisha, ish zëdhënësja e Lulzim Bashës, është zëri dhe imazhi që qëndron pas Diellës, ministres së parë të krijuar nga inteligjenca artificiale. Aktorja pranon se imazhi është përdorur me dakortësinë e saj për t’u bërë avatar dhe marrëveshja mbaron në dhjetor të këtij viti. 

“Imazhi i e-Albania jam unë. Edhe zëri. Me dakordësi, imazhi është përdorur për t’u bërë avatar dhe mbaron në dhjetor të vitit 2025,”- shprehet aktorja.

Prej dy ditësh, Diella, ministrja e krijuar nga inteligjenca artificiale, ka marrë vëmendjen e opinionit publik brenda dhe jashtë vendit.

Mediat ndërkombëtare i kanë bërë jehonë anëtares së re të kabinetit Rama 4 që nuk është e pranishme fizikisht por që do të sigurojë se tenderat publikë të jenë 100% të lirë nga korrupsioni.

'“Diella” ka ndihmuar më shume se 1 milion aplikime ndërsa ka nxjerrë afro 36 mijë dokumente me vulë digjitale përmes portalit E-Albania. Po ashtu ekipi po punon edhe për përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian'- deklaroi Rama.