AKTUALITET, 3 Nëntor 2023, 22:31

Ministri Peleshi: Përmirësohet situata pas reshjeve intensive, akse të bllokuara në Dibër dhe Shkodër

Ministri Peleshi: Përmirësohet situata pas reshjeve intensive, akse

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi përmes një postimi në rrjetet sociale është shprehur se situata e krijuar si pasojë e reshjeve intensive pothuaj në të gjithë territorin e vendit paraqitet më e mirë, por strukturat e emergjencave civile vijojnë punën në terren për eliminimin e çdo pasoje.

Ai u shpreh se tri ekipe nga Forcat e Armatosura janë angazhuar në ndihmë të punonjësve të bashkisë së Tiranës, ku situata është përmirësuar ndjeshëm, ndërsa vëmendje e shtuar është në qarqet Dibër e Shkodër, ku po punohet për pastrimin e disa akseve.

Sipas parashikimeve nga IGJEO, gjatë natës priten reshje me intensitet të lartë në të gjithë territorin e vendit, ku në një pjesë të madhe të tij reshjet do të jenë në formën e rrebesheve dhe stuhive shoqëruar me shkarkesa të forta.