AKTUALITET, 23 Shtator 2023, 12:07

Meta mesazh ngushëllimi për vdekjen e Napolitano-s: I pikëlluar për ndarjen nga jeta të ish-presidentit italian

Meta mesazh ngushëllimi për vdekjen e Napolitano-s: I pikëlluar

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-Presidentit italian Giorgio Napolitano në moshën 98-vjeçare.

Në mesazhin e tij, Meta vlerëson qëndrimin e ish-presidentit krah Shqipërisë dhe integrimit të saj në Bashkimin Evropian.

Ai shkruan se Napolitano, “ishte protagonist i rëndësishëmnë historinë politike italiane, dhe europiane.”

Postimi i kryetarit të Partisë së Lirisë:

I pikëlluar për ndarjen nga jeta të Presidentit, Giorgio Napolitano, përkrahës i fuqishëm i përshpejtimit të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Protagonist i rëndësishëm në historinë politike italiane dhe europiane, kontributi i tij i vyer në forcimin e marrëdhënieve tona strategjike me Italinë mike do të nderohet gjithmonë me respekt!

Ngushëllimet më të ndjera familjes dhe popullit italian për këtë humbje të pazëvendësueshme!

Napolitano ndërroi jetë pasditen e 22 Shtatorit. Vdekja e tij ndodhi në një klinikë, ku president ishte shtruar prej disa kohësh. Pranë tij në momentet e fundit ndodhej familja, veçanërisht djali Giulio dhe gruaja e tij, 89 vjeçe, si dhe këshilltari historik i komunikimit, Gianni Matteoli.

Më 21 maj 2022, Napolitano iu nënshtrua një operacioni abdominal dhe u shtrua për nëntë ditë në spitalin Spallanzani në Romë. Ndërsa më herët më 24 Prill 2018 u operua për një mosfunksionim të pjesshëm të aortës.

Napolitano u zgjodh President i Republikës më 15 maj 2006 dhe më pas për herë të dytë më 22 prill 2013, në këtë rast duke qëndruar në detyrë për më pak se dy vjet.

I lindur në Napoli në vitin 1925, ai ishte Presidenti i njëmbëdhjetë i Republikës së Italisë. Në vitin 1992 ai pasoi Oscar Luigi Scalfato si President i Dhomës dhe në 1996 ishte Ministër i Brendshëm në qeverinë Prodi I.

Ai ishte gjithashtu presidenti i parë i Republikës që ka shërbyer në radhët e Partisë Komuniste Italiane. Gjatë periudhës së tij si President i Republikës, ai u dha mandate qeveritare pesë presidentëve dhe emëroi pesë senatorë të përjetshëm.

Meta mesazh ngushëllimi për vdekjen e Napolitano-s: I pikëlluar