AKTUALITET, 23 Shtator 2023, 11:33

“Lejoi të kalonte kufirin një shtetas në kërkim”- Reagon Balla: Një tjetër punonjës policie u arrestua, vijon procesi i vetë-pastrimit

“Lejoi të kalonte kufirin një shtetas në

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla komentoi operacionin i cili vuri në pranga policin që lejoi daljen jashtë shtetit të një personi të shpallur në kërkim.

Në mesazhin e ministrit shkruhet se përmes hetimeve të tilla të nivelit të lartë arrihet edhe vetë-pastrimi i Policisë së Shtetit dhe mundësohet besimi i qytetarëve në këto struktura.

Postimi i Ballës:

Ndërsa vijon me intensitet procesi i vetë-pastrimit të Policisë së Shtetit, një tjetër punonjës policie është arrestuar në Policinë Kufitare të Durrësit, për një shkelje të rëndë. Forcimi i bashkëpunimit me SPAK, prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, SHISH dhe agjenci të tjera ligjzbatuese në procesin e vetë-pastrimit të Policisë së Shtetit është i domosdoshëm. Hetimet për punonjës të nivelit të parë drejtues apo zbatues, të dyshuar për shpërdorim detyre, korrupsion, vepra penale në fushën e narkotikëve, veprime arbitrare, lidhje/komunikime me krimin si dhe çdo veprim tjetër të paligjshëm, do të na mundësojnë pastrimin e duhur dhe besimin e plotë të qytetarëve tek Policia e Shtetit.

Kujtojmë se ditën e sotme (23 Shtator 2023), oficeri i Policisë 23-vjeëar, Gledis Lushi, me detyrë kontrollor në Stacionin e Policisë në Portin e Durrësi, është ndaluar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, pasi ka lejuar daljen jashtë shteti të një personi të shpallur në kërkim. Ky i fundit mësohet të ketë ikur jashtë shtetit nëpërmjet portit të Durrësit, ndërsa është në kërkim për disa vepra të ndryshme penale.