AKTUALITET, 9 Shkurt 2022, 16:36

Meta dorëzoi kallëzimin në Prokurori për falsifikim, reagon Kuvendi: Pretendimet nuk qëndrojnë

Meta dorëzoi kallëzimin në Prokurori për falsifikim, reagon
Foto: Kuvendi i Shqipërisë

Pas padisë që presidenti Ilir Meta dorëzoi sot në Prokurorinë e Tiranës dhe në SPAK, ku e akuzon Kuvendin për falsifikim dokumentesh, vjen një reagim nga ky i fundit.

Kuvendi ka mohuar akuzat e Metës, ndërsa thekson se këto pretendime nuk qëndrojnë.

Në sqarimin e tij Kuvendi bënë me dije se në datën 4 shkurt 2022 ka depozituar pranë Gjykatës Kushtetuese dokumentacionin zyrtar ligjor që lidhet me çështjen në shqyrtim.

Reagimi i Kuvendit

Në respekt të pavarësisë së institucioneve kushtetuese, duke qenë se Gjykata Kushtetuese është tërhequr për të marrë vendim, Kuvendi respekton heshtjen dhe nuk bën komente për rastin në fjalë.

Përsa i takon pretendimeve të Presidentit të Republikës për manipulim ose për fallsifikim, me përgjegjësi të plotë sqarojmë se këto pretendime nuk qëndrojnë.

Kuvendi i Shqipërisë, në datën 4 shkurt 2022, ka depozituar pranë Gjykatës Kushtetuese dokumentacionin zyrtar ligjor që lidhet me çështjen në shqyrtim.