TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Këshilli Bashkiak i Tiranës i është drejtuar me një letër kryebashkiakut Erion Veliaj një ditë para mbajtjes së mbledhjes ku do të diskutohet për shkarkimin e tij. Letra vjen pasi Veliaj, i cili prej 10 shkurtit mbahet në qeli, i kërkoi Këshillit Bashkiak që të dëgjohej para se të merrej vendimi.
Nisur nga kjo kërkesë, a2 siguroi letrën që Këshilli Bashkiak i ka dërguar Veliajt sot në qeli, ku i thotë se në rast të pamundësisë për të marrë pjesë në mbledhje, të gjitha pretendimet e tij mund t’i dërgojë me shkrim.
“Sa më sipër, në vijim të kërkesës suaj për të qenë i pranishëm fizikisht në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, në rast pamundësie për të qenë prezent, Ju lutem që observacionet tuaja t'i përcilini me shkrim pranë Këshillit Bashkiak, në mënyrë që ato të administrohen dhe të bëhen me dije në këtë mbledhje”, thuhet në letrën dërguar Veliajt.
Me këtë shkresë, të Këshillit, përgjegjësia bie direkt mbi Drejtorinë e Burgjeve, i cili është edhe institucioni që me autorizim të SPAK, jep lejen e posaçme. Por në fakt, në Drejtorinë e Burgjeve ende nuk ka një kërkesë nga ekipi ligjor i Veliajt.
Media u interesua pranë Drejtorisë së Burgjeve nëse do ta lejojnë Veliajn që të marrë pjesë në mbledhje, por deri më tani Burgjet na informuan se avokatët ende nuk e kanë dorëzuar kërkesën. Edhe PD kërkoi që në sallë të dëgjohet edhe Erion Veliaj.
Ndërkohë, komisioni i Ligjeve në Bashkinë e Tiranës do të mblidhet nesër për të shqyrtuar kërkesën e këshilltarëve socialistë për shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj. Mësohet se mbledhja, e cila pritej të mbahej sot, është shtyrë për nesër në orën 10:00, ndërsa pritet që të futet në rend dite kërkesa për shkarkimin e Veliajt. Më pas, në 16:00 do të mblidhet Këshilli Bashkiak, ku pritet të diskutohet edhe për kërkesën për shkarkimin e Veliajt.
Këshilltarët socialistë në Bashkinë e Tiranës u vunë në lëvizje duke nisur procedurën për shkarkimin e Veliajt pas kërkesës së Edi Ramës në Asamblenë e PS, duke u mbështetur në shkeljen e nenit 62, gërma C, të Ligjit 139/2015 "Për Vetëqeverisjen Vendore", që ka të bëjë me mosparaqitjen në detyrë për të paktën 3 muaj.
Vendimmarrja për t’i propozuar qeverisë shkarkimin e kryebashkiakut do të duhet të marrë votën e shumicës së të gjithë këshilltarëve, pra 31 pro nga 61 anëtarë gjithsej. Pas votimit, vendimmarrja i kalon Këshillit të Ministrave përmes Prefektit të Tiranës. Qeveria më pas vendos shkarkimin.
Por, vendimi i qeverisë për shkarkimin e kryebashkiakut mund të mos jetë fjala e fundit. Neni 115 i Kushtetutës e thotë qartë se Kryetari i bashkisë ka të drejtë ta ankimojë shkarkimin në Gjykatën Kushtetuese brenda 15 ditësh, dhe në këtë rast vendimi i qeverisë do të pezullohej, deri në një vendimmarrje të gjykatës më të lartë në vend.
Erion Veliaj qëndron në paraburgim me masë sigurie “arrest në burg” që prej 10 shkurtit 2025, kur u arrestua me urdhër të GJKKO pasi akuzohet nga SPAK për 13 akuza, mes të cilave 9 raste korrupsioni.
