AKTUALITET, 1 Prill 2025, 13:46

Mbështetja/ Krimet zgjedhore, Dumani në ambasadën britanike: Diskuton strategjinë me disa ambasadorë evropianë

Mbështetja/ Krimet zgjedhore, Dumani në ambasadën britanike:

Strategjia e SPAK për të hetuar krimet zgjedhore ka ngjallur interesin e ndërkombëtarëve.

Gazetari i TCh, Muhamed Veliu, raporton se paraditen e kësaj të marte, kreu i SPAK, Altin Dumani ishte në ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar, ku drejtoi një tryezë të rrumbullakët e shpjegoi përpjekjet për t’u përballur me krimet zgjedhore të mundshme.

Në prezencën edhe të ngarkuarës me punë të Ambasadës Amerikane, të delegacionit të BE në Tiranë dhe disa ambasadorëve të vendeve të BE, Altin Dumani ka shpjeguar strategjinë për hetimin e krimit zgjedhor për zgjedhjet e 11 majit dhe ka ndarë me ambasadorët problematikat e zbuluara deri më tani.

Në kushtet e anonimatit, një prej ambasadorëve i tha Top Channel se “takimi dërgon një sinjal të qartë mbështetës për këtë strategji kundër krimeve zgjedhore e vënë në zbatim prej SPAK, institucion i vendosur nën sulme frontale nga aktorë të ndryshëm të politikës shqiptare”.