AKTUALITET, 4 Korrik 2023, 22:19

Masakra e mbrëmshme, deputeti i PD-së akuzon pa emër "ministrin e Rilindjes": Emëroi një kriminel në krye të policisë së Fushë-Krujës

Masakra e mbrëmshme, deputeti i PD-së akuzon pa emër
Asllan Dogjani

Asllan Dogjani, ish-Drejtues i Policisë së Shtetit, ka komentuar këtë mbrëmje në “Open” atentatin me një viktimë dhe dy fëmijë të plagosur, ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në fshatin Larushk në Fushë-Krujë.

Ai thotë se nga mënyra e organizmit dhe kryerjes së këtij atentatit, kuptohet se ka një hakmarrje të jashtëzakonshme dhe një inat të madh.

Sipas tij këto janë ngjarje që krijojnë panik tek qytetarët, ndërsa shtron pyetjen se ku e gjejnë këtë guxim grupet kriminale, të cilat sipas tij nuk i frikësohen as policisë.

“Ky lloj kriminaliteti tregon që autorët nuk kanë frikë nga shteti. Mënyra si kanë vepruar tregon se e njohin territorin. Të paktën njëri nga ata duhet të jetë banor i zonës. Fakti që kanë qëlluar me breshëri automatiku, tregon hakmarrje të jashtëzakonshme dhe nuk kanë pyetur nëse ka apo jo fëmijë.

Edhe nëse këta do të kenë qenë autorë të paguar, do të thotë se pagesa ka qenë e lartë sepse kanë qëlluar pa ndërprerje për të ekzekutuar objektivin.

Mund të jetë e lidhur me hakmarrje, larje hesapesh. Më bën përshtypje se ku e marrin guximin këto grupe, në një kohë që në zonën e Krujës është e njëjta skenë… digjet makina, autorë janë disa persona.

Çfarë bën policia e shtetit? Kjo ngjarje ka përcjellë panik e pasiguri tek qytetarët”, shprehet ai.

Dogjani tha se në krye të komisariatit të Fushë-Krujës është emëruar një kriminel me urdhër të një ministri të qeverisë Rama. Ai nuk pranoi të jepte emër, por tha se është ministër i Rilindjes.

“Nëse shteti nuk merr masa e s’të gjen autorin, çfarë do bësh? Shteti duhet të punë, por ka shumë arsye që nuk i zbulojnë për mua është një lidhje, krimi njësh me shtetin, nuk flas për policët sepse nuk i përgjithësoj dot, por po flas për pjesë të mirë të policisë. Kemi të dhëna që emërohen në krye të policisë kriminelë.

Një rast në Krujë, e kam të kontaktuar personalisht, të faktuar, që shefi i stacionit policor në Fushë-Krujës u emërua me një telefonatë nga një nga këta që doli në televizor. E ka marrë ministrin dhe i ka thënë dua filanin… Nuk ka rëndësi ta them se kush ministër se ka kohë kjo punë, por është në Rilindje”, tha ai.