AKTUALITET, 21 Gusht 2022, 10:47

Lëviznin me 11 kilogramë “kanabis çokollatë” në automjet, tre të arrestuar në Lezhë

Lëviznin me 11 kilogramë “kanabis çokollatë”

Tre persona janë vënë në pranga në Lezhë pas finalizimit të operacionit policor të koduar “Processed drugs”.

Bëhet e ditur se gjatë këtij operacioni, në dalje të qytetit të Lezhës, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar automjetet e dyshuara dhe kanë ndërhyrë duke i ndaluar.

Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e drejtuar nga Izmir Hebovija, në pjesën e bagazhit, është gjetur një çantë, brenda së cilës kishte 84 pako me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, e përpunuar si çokollatë.

Pas peshimit, rezultuan rreth 11 kilogramë. Ndërsa në automjetin tjetër, nuk është konstatuar asnjë send i kundërligjshëm, por vetëm qytetarë që shoqëronin dhe ruanin automjetin ku ndodhej lënda narkotike

Në përfundim të veprimeve, u arrestuan në flagrancë 50-vjeçari Hebovija, banues në Tiranë, dhe Mirash Dushku, 52 vjeç e Perparim Rrgalla, 40 vjeç, të dy banues në Shkodër. 

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 84 pako lëndë e dyshuar narkotike në formë çokollate me peshë totale rreth 11 kilogramë, 2 automjete dhe 5 aparate celulare.