AKTUALITET, 24 Shkurt 2023, 09:27

Lëndë plasëse dhe kapsolla detonatore elektrike jashtë kushteve të sigurisë, arrestohen dy persona në Tropojë

Lëndë plasëse dhe kapsolla detonatore elektrike jashtë

Policia ka zbuluar një sasi lëndë plasëse në një subjekt minerar në vendin e quajtur Kepenek në Tropojë.

Në pranga janë vënë administratori i këtij subjekti Xh. K., 32 vjeç dhe drejtuesi teknik i këtij subjekti D. P., 56 vjeç.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tropojë, për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i policisë

Strukturat e DVP Kukës, kontrolle për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive të kundërligjshme.  Sekuestrohen 276 kilogramë lëndë plasëse dhe 290 kapsolla detonatore elektrike, që mbaheshin jashtë kushteve të sigurisë, në një subjekt minerar. Vihen në pranga administratori dhe drejtuesi teknik i subjektit për nxjerrjen e minerareve.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Kukës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Tropojë, në vijim të kontrolleve për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive të kundërligjshme, kanë ushtruar kontroll në një subjekt minerar në vendin e quajtur “Kepenek”.

Gjatë kontrollit në ambientet e këtij subjekti minerar, shërbimet e Policisë kanë gjetur 276 kilogramë lëndë plasëse dhe 290 kapsolla detonatore elektrike që mbaheshin jashtë rregullave të përcaktuara për mbajtjen e tyre. Në vijim të veprimeve për këtë rast, u arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”, shtetasit:

-Xh. K., 32 vjeç, administrator i subjektit për nxjerrjen e minerareve dhe D. P., 56 vjeç, drejtues teknik i këtij subjekti.

Strukturat e DVP Kukës do të vijojnë kontrollet për të verifikuar pajisjen me licencë të subjekteve të tjera që ushtrojnë këtë aktivitet, si dhe zbatimin e rregullave të përcaktuara për mbajtjen e lëndëve plasëse, djegëse dhe radioaktive. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tropojë, për veprime të mëtejshme.