BOTA, 20 September 2026, 18:49

Exit poll-et në dalje të qendrave të votimit: E djathta ekstreme e Gjermanisë siguron një tjetër fitore në zgjedhje kyçe rajonale

E djathta ekstreme në Gjermani fitoi zgjedhjet e dyta rajonale radhazi të dielën, në shtetin verilindor të Meklenburg-Pomerania Perëndimore, sipas exit polleve; megjithatë, gjasat janë që ajo të mos arrijë të qeverisë, për shkak të rezultatit të fortë të Social-Demokratëve të qendrës së majtë, të cilët u renditën të dytët.

Edhe pse exit pollët e transmetuesit ARD e vlerësonin mbështetjen për partinë AfD në 37% — pak më lart se SPD-ja me 35.5% — SPD-ja pritet të ketë mbështetje të mjaftueshme për të formuar një koalicion dhe për të penguar AfD-në që të marrë drejtimin e shtetit, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Ky proces zgjedhor po ndiqet me vëmendje të madhe, pasi dy javë më parë AfD-ja shënoi një fitore historike në një tjetër shtet lindor, Saksoni-Anhalt.

Siç vënë në pah mediat, përcjell Telegrafi, gara në Meklenburg-Pomerania Perëndimore përbën gjithashtu një provë kyçe për kancelarin e qendrës së djathtë, Friedrich Merz, ndërsa shtohen zërat se anëtarët e partisë mund të ndërmarrin hapa për ta zëvendësuar atë nëse partia pëson sërish një dështim në zgjedhjet rajonale.

Partia e tij, CDU, mori vetëm 5.5% të votave në Meklenburg-Pomerania Perëndimore — rezultati më i dobët për partinë e tij në çdo palë zgjedhjesh rajonale apo kombëtare që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.

Ndërkohë në Berlin, partia "Die Linke" (E Majta) pritet të dalë e para me 24.5% të votave, sipas exit pollit të ARD-së, duke lënë pas CDU-në e Merz-it me 20%, parti e cila aktualisht mban postin e kryetarit të bashkisë në kryeqytet.