AKTUALITET, 11 Korrik 2023, 16:20

Legalizimi për qëllime mjekësore/ Agjenci Kombëtare për Kanabisin, do të japë lejet dhe do të kontrollojë procesin

Legalizimi për qëllime mjekësore/ Agjenci Kombëtare për

Projektligji i ri për “Kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës kanabis dhe prodhimit të nënprodukteve të saj, për qëllime mjekësore dhe industriale” i propozuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministria e Brendshme, pas nismës së Këshillimit Kombëtar, do të lejojë përdorimin për eksport të bimës së kanabisit për përdorim mjekësor dhe industrial.

Për të kontrolluar mbarëvajtjen e këtij procesi do të ngrihet edhe një agjenci e posaçme në nivel kombëtar. Agjencia e Kontrollit të Kanabisit do të jetë një agjenci buxhetore që do të ketë për mision mbikëqyrjen, kontrollin e përpunimin e bimës së kanabisit dhe prodhimit të nënprodukteve të saj, për qëllime mjekësore dhe industriale.

Ajo do të organizojë procedurat për dhënien e licencave, sipas rregullave të përcaktuara në këtë ligj, do të mbikëqyrë veprimtarinë e subjekteve të licencuara; do të bashkëveprojë me të gjitha organet kompetente me qëllim realizimin e objektivave dhe detyrimeve që rrjedhin nga marrëveshjet ndërkombëtare, do të bashkëpunojë me Qendrën Europiane për Monitorimin e Drograve dhe Varësisë dhe Bordin Ndërkombëtar të Kontrollit të Narkotikëve.

Kjo agjenci do të ketë në përgjegjësinë e saj administrimin e regjistrit të të dhënave në nivel kombëtar. Ajo do të ketë në funksion e saj edhe ngritjen e Komisionit të Licencave për Shqyrtimin dhe Vlerësimin e Kërkesave të paraqitura për marrjen e licencës për kultivimin e kanabisit, si dhe lëshimi i autorizimeve për eksportin e kanabisit industrial dhe nënprodukteve.