TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi vlerëson se kërkesa për arrestimin e Ahmetajt nuk është bërë për të mbuluar ngjarjen horror të Krujës, pas të cilës u shkarkua edhe ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi.
Në një intervistë për 'Neës24', ai tha se hetimi i SPAK është i paplotë, por shton se kërkesa në Kuvend ka ardhur në ditën kur janë bërë edhe veprimet e fundit hetimore për dosjen “Ahmetaj”.
Po ashtu, Bardhi u shpreh se nuk ka asnjë arsye se përse duhet shtyrë mbledhja e Këshillit për Ahmetajn, veçse nëse po përgatiten për ta larguar jashtë vendit.
Pyetja- Besoni se mund të shtyhet?
Gazment Bardhi- Mbledhja është e vonuar dhe nuk ka arsye për të humbur kohë. Këshilli i Mandateve nuk është gjykatë ku avokatët të përballen dhe të bëjnë një analizë të gjerë. Koha e dhënë 24 orë është e mjaftueshme për elementët që Këshilli duhet të marrë në konsideratë. S’ka asnjë arsye për të shtyrë mbledhjen, përveç përgatitjes për të mundësuar largimin e Ahmetajt jashtë vendit apo për t’i dhënë më shumë kohë për të pastruar provat. Kjo do të ishte e papranueshme dhe do ta bënte Kuvendin bashkëpunëtor në arratisjen e Ahmetajt. Parlamenti ka vetëm një rol, të lejojë prokurorinë të bëjë detyrën e saj.
Pyetja- Pse do ta bënte tani Ahmetaj pastrimin e provave?
Gazment Bardhi- Në hetim do të duhet të jenë Rama, Veliaj dhe Gjiknuri por secili prej tyre vazhdon të jetë në pozicionet e tyre. Ashtu ka besuar edhe Ahmetaj që do të ishte i paprekshëm. Ne do të duhet të verifikojmë nëse Ahmetaj mund të jetë arratisur në këto momente që flasim.
Pyetja- Është për t’u vlerësuar puna e SPAK me këtë kërkesë?
Bardhi- E vlerësoj punën e bërë nga 2 prokurorët për faktin që ata kanë bërë një hetim të thelluar ndaj Ahmetajt. E kam konsideruar hetimin e paplotë sa kohë që zyrtarë të tjerë të përfshirë vazhdojnë të lëvizin të lirë në zyrat e shtetit. Kam verifikuar nëse kemi të bëjmë me një “drejtësi me regji” për të mbuluar skandalin e Krujës. Kam verifikuar kur është kryer veprimi i fundit hetimor nga prokuroria dhe ka qenë 7 korriku. Pra në përfundim të këtij veprimi hetimor ka marrë vendim për të kërkuar arrestimin e Ahmetajt.
Pyetja- Besoni se SPAK e dërgon kërkesën tani për të mos mbuluar një skandal tjetër apo kërkohet tani arrestimi për të mbuluar Krujën?
Bardhi- Ahmetaj dhe të tjerë zyrtarë do të duhet të ishin në burg shumë kohë më parë. SPAK është shumë i vonuar për përfundimin e hetimeve për tre inceneratorët. Fakti që është kërkuar në këtë moment nga SPAK, nuk dua të spekuloj dhe më rezulton se veprimi i fundit është bërë në 7 korrik, pra ditën kur edhe SPAK ka marrë vendim për ta dërguar kërkesën në Kuvend.
Pyetja- Ka një vendimmarrje për mbledhjen si do zhvillohet?
Bardhi- Është një kërkesë e SPAK që mbledhja të bëhet e mbyllur. Ka një urdhër të një prej anëtarëve të Këshillit të Rregullores, por kryetarja e Kuvendit nuk ka asnjë kompetencë për të caktuar a do jetë me dyer të hapura apo me dyer mbyllura. Ne do të kërkojmë që të zhvillohet me dyer të hapura për të bërë një transparencë sa më të plotë.