AKTUALITET, 10 Shkurt 2022, 10:27

Lefter Koka kërkon masë më të butë sigurie! Përgatit rekurs, i drejtohet Gjykatës

Lefter Koka kërkon masë më të butë sigurie!

Pas humbjes në të dyja shkallët e gjyqësorit, ish-ministri i mjedisit Lefter Koka pritet që ti drejtohet Gjykatës së Lartë me rekurs për të kërkuar masë më të butë sigurie, se ajo e arrestit me burg.

Koka nuk e ka depozituar ende rekursin kundër apelit të Posaçëm, por pritet që nëpërmjet avokatit të tij mbrojtës ai ta depozitojë atë në ditët në vijim, ku do të kundërshtoj vendimin e  Apelit të Posaçëm, i cili më 2 janar miratoi shkallën e parë duke caktuar ndaj ish-ministrit Koka masën “arrest me burg”.

Kujtojmë se më 14 dhjetor SPAK urdhëroi prangosjen ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka për dosjen e shumëpërfolur, atë të inceneratorit në Elbasan.

Prokuroria e Posaçme akuzon ish ministrin e mjedisit për tre akuza. Ndaj tij rëndojnë akuzat e shpërdorimit të detyrës”, “pastrim të parave” dhe korrupsion”.

Hetimet disa mujore zbuluan se Lefter Koka favorizoi pronarët dhe administratorët e kompanisë lidhur me koncesionin e inceneratorit të Elbasanit.

Sipas SPAK  Koka akuzohet se ka përfituar rryshfet në vlerën e 3.7 milion eurove nëpërmjet kompanive fiktive të zotëruara nga familjarë dhe të njohur të tij.