AKTUALITET, 27 Maj 2025, 18:14

Lapaj kërkon rinumërim në Fier e Vlorë: PS na ka marrë dy mandate. Kemi parë pamjet filmike, na janë vjedhur votat

Lapaj kërkon rinumërim në Fier e Vlorë: PS na ka marrë

Adriatik Lapaj, kreu i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, ka kërkuar zyrtarisht rinumërimin e votave në qarqet Fier dhe Vlorë, duke pretenduar se Partia Socialiste ka përfituar në mënyrë të padrejtë dy mandate që i takonin koalicionit të tij.

Përmes një postimi në Facebook, Lapaj shpjegon se pas verifikimit të pamjeve filmike nga qendrat e numërimit dhe analizës së procesverbaleve të KZAZ-ve, janë zbuluar mospërputhje të dukshme mes votave në kuti dhe të dhënave të dokumentuara.

“Sapo morëm pamjet filmike të plota dhe nisëm shqyrtimin e tyre. Duket qartë se ka diferenca domethënëse mes votave faktike dhe atyre të përfshira në procesverbale. Kjo ndikon drejtpërdrejt në ndarjen e mandateve”, shkruan ai.

Lapaj thekson se kërkesa për rinumërim do të dorëzohet sot në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), dhe paralajmëron ndjekje penale për çdo shkelje të identifikuar: “Edhe nëse rezulton që mandatet nuk na takojnë, ne do ndjekim penalisht çdo person përgjegjës për manipulimin e votës.”

Ai e mbyll deklaratën duke theksuar se “edhe një votë e vetme po të jetë prekur, do të kërkojmë drejtësi”.

POSTIMI I PLOTË

“QARKU FIER DHE VLORË DUHEN RINUMËRUAR

Sapo morëm pamjet filmike pasi veç dje na u vendosën në dispozicion (Zaz 59 në Fier ende nuk na është dhënë) dhe nisëm të shohim filmimet del që mes votave faktike në kuti dhe procesverbaleve të miratuara nga KZAZ-të ka mospërputhje domethënëse.

Nisur nga fakti që mandatet tona në këto 2 qarqe janë marrë nga Ps me diferencë të ngushtë ka vend për rinumërim.

Për çdo kuti ku rezulton të jetë prekur vota ne do çojmë në prokurori çdo person përgjegjës.

Kërkesa për rinumërim do paraqitet sot në Kqz. Ne edhe mund mos i kemi ato mandate, por edhe 1 votë të jetë prekur do ndiqen penalisht.

Shembull si janë tjetërsuar votat në procesverbal:

ZAZ numër 55, VNV 55/3, kutia 2831/00– problem, i janë shtuar 4 vota PS dhe janë hequr dy vota nga Nisma SHB;

ZAZ numër 60, VNV 60/3, kutia 3017– dy vota të pavlefshme i kanë kaluar si të vlefshme PS-së.

ZAZ 60, VNV 60/3, kutia 2997/00 —problem, janë shtuar dy vota për PD, janë shtuar 4 vota për PS.

ZAZ 56, VNV 56/5, kutia 288/01 — problem, janë shtuar dy vota për PS dhe i është hequr një votë Levizjes Atdheu.

ZAZ 56, VNV 56/3, kutia 2866/01– problem, është hequr një votë nga Nisma SHB dhe tek votat e pavlefshme janë shtuar 3.

ZAZ 56, kutia 2862/01 —problem, janë hequr dy vota nga Nisma SHB dhe janë shtuar dy vota të pavlefshme“.