AKTUALITET, 12 Maj 2023, 16:17

“Mbështesim vullnetin e shqiptarëve”, ambasada e SHBA-ve mesazh forcave politike për ‘14 majin’: Zbatoni ligjin dhe standardet ndërkombëtare

“Mbështesim vullnetin e shqiptarëve”, ambasada e SHBA-ve

Kur na ndan shumë pak nga zgjedhjet e 14 majit, vjen një reagim nga Ambasada Amerikane në Tiranë. Në një mesazh në faqen zyrtare në ‘Facebook’, ambasada e SHBA-ve, thekson se zgjedhjet duhet të jenë në përputhje me ligjin shqiptar dhe me standardet ndërkombëtare.

Mes të tjerash në mesazhin e ambasadës nënvizohet fakti se Shtetet e Bashkuara do të mbështesin vullnetin e popullit shqiptar për demokraci të fortë.

POSTIMI I AMBASADES AMERIKANE:

Të dielën, qytetarët shqiptarë do të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike më themelore – të votojnë për udhëheqësit dhe të ardhmen e tyre. Ambasada e Shteteve të Bashkuara u bën thirrje të gjitha partive politike dhe institucioneve që të sigurojnë që veprimtaritë zgjedhore të kryhen në përputhje me ligjin shqiptar dhe me standardet ndërkombëtare. Autoritetet shqiptare duhet të sigurojnë që zgjedhjet të jenë transparente, të lira dhe të sigurta. Ashtu si në procese të mëparshme, përfaqësues ndërkombëtarë, përfshirë nga ambasada e SHBA do të udhëtojnë përreth vendit si vëzhgues në zgjedhje. Zgjedhjet janë themeli i demokracisë. Drejtuesit e partive patën detyrimin të propozojnë kandidatë të pastër, të denjë për të përfaqësuar popullin shqiptar dhe tani vendimi duhet të jetë në dorën e qytetarëve. Siç kemi bërë gjatë tre dhjetëvjeçarëve të shkuar, Shtetet e Bashkuara do të mbështesin vullnetin e popullit shqiptar për demokraci të fortë.